Maqedoni

Politikanët uruan festën e vitit të ri, presin ditë më të mira në 2024-tën

31.12.2023 15:29

Krerët politik në vend uruan qytetarët në natën e fundit të ndërrimit të motmoteve....

Krerët politik në vend uruan qytetarët në natën e fundit të ndërrimit të motmoteve. Të përkujtojmë së bashku sukseset, sfidat e vështirësitë me të cilat u përballëm dhe  të nisim me këmbë të mbarë një vit të ri, me ambicie të reja përparimtare shkroi  Lideri i BDI- së Ali Ameti në urimin e tij drejtuar qytetarëve.
 
“Këtë vit do ta kujtojmë me fillimin e realizimit të projektit më të madh infrastrukturor që nga pavarësia e vendit, Korridorit 8, kryesimin me OSBE-në, rimëkëmbjen ekonomike me uljen e papunësisë, pensione dhe paga më të larta minimale dhe mesatare, me rrugë e shkolla të reja të ndërtuara. Uroj që në vitin 2024 të keni mbi të gjitha shëndet, paqe, lumturi e mbarësi në vatrat e juaja familjare!”, - thuhet në urimin e Ahmetit.
 
Edhe Lideri i ASH–së Arben Taravari uroi që çdo ditë e vitit 2024 të jetë e mbushur me gëzim.
 
“Uroj gëzuar Vitin e Ri 2024! Qoftë çdo ditë e këtij viti e mbushur me gëzim dhe besim! Nëse besojmë, të gjithëve na presin ditë më të mira!”, - shkruan Taravari.
 
Për Kryetarin e Lëvizjes Demoikratike Izet Mexhiti, viti 2024 do të sjell ndryshimin e shumpritur.  
 
“Viti që vjen do të jetë vit i zgjedhjeve të reja parlamentare, vit i ndryshimit. Por një ndryshim i vërtetë kërkon përpjekje të përbashkëta, pjesmarrje aktive të të gjithëve jo vetëm për të bërë ndryshimin por edhe për të ngjallur shpresën.”, - thotë Mexhiti.
 
Edhe për kryetarin e VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski,  viti 2024 do të jetë vit i ndryshimeve.
 
“Duke pasur respekt dhe besim të plotë tek ju, kërkoj besimin tuaj, që së bashku t’i tejkalojmë këto kohë të vështira. Është koha që drita të mposhtë errësirën, të kthehen shpresa, morali dhe buzëqeshjet.”, - shkruan Mickoski.
 
Krerët politik poashtu uruan qytetarët që harmonia, sukseset dhe gëzimet të jenë   pjesë e pandarë e vitin që vjen.
 
FLUTURA LATIFI