Maqedoni
Funksionimi i Kuvendit, deputetët me opinione ndryshe për punën e kryer
31.12.2023 15:55
Përbërja aktuale parlamentare drejt muajve të fundit të mandatit....

Përbërja aktuale parlamentare drejt muajve të fundit të mandatit. 2 mijë ligje të miratuara, por që edhe shumë të tjera presin zgjidhje. Deputetët të ndarë në qëndrime sa i takon punës së kryer në kuvend. Pjesërisht të kënaqur fajësojnë njëra tjetrën për obstruksione.
“Ka qenë një mandat me shumë sfida, mandat do të kisha thënë me një shumicë relativisht të ngushtë dhe kjo na ka bërë neve si shumicë parlamentare të jemi edhe më sy çelë, për shkak se kemi pasur edhe opozitë të fortë. Dua të veçoj disa punë që janë bërë në këtë mandat siç është hapja e negociatave me BE-në, pastaj korridori 8, investim kapital shum i madh për ne si qytetarë të Maqedonisë.”, tha Arben Ziberi, deputet i BDI-së.
“Disa momente kanë qenë të pëlqyeshme mirpo ato janë të pakta dhe në përgjithësi jam mesatarisht i kënaqur, jo ashtu si e don nevoja. Unë vullnetarisht kanë dhënë kontributin por varet edhe nga hapërisa. Veçanarisht dy vitet e fundit paraqitja e partisë VMRO –së si opozitare me bojkotin aktiv ka qenë një problem i cili ka ngushtuar dhe ka lënë shum pak hapësirë që ne të jemi në qasje të problemeve.”, tha Adnan Neziri, deputet i ASH-së.
“Mendoj se kemi pasur bashkëpunim të mirë me partnerët e koalicionit dhe për pjesën më të madhe të çështjeve kemi gjetur mirkuptim me deputetët e opozitës sikurse në komisionin për mundësi të barabarta, bujqësisë, çështje këto në interes të qytetarëve. Kemi pasur punë produktive, mbi 2 mijë ligje kemi kaluar në këtë mandat.”, tha Daniella Koleva, deputete e LSDM-së.
Por opozita me qëndrime të kundërta duke drejtuat akuza ndaj shumicës.
“Si deputete jam munduar fillimisht të jem zëri i popullit dhe ti mbroj interesat dhe kërkesat, nga ana tjetër në kërkesat tona si grup parlamentar dhe si parti kemi bërë kërkesa mund të numroj edhe disa nga ato shembull interpelancën e Lubomir Joveskit që vetëm opinioni e din, atë e kemi bë, dmth që kërkesa jonë ka marrë fund dhe nuk është marrë parasysh. Ky është një dështim që nuk kemi artritur ta realizojmë.”, tha Merita Koxhaxhiku, deputete e Lëvizjes Demokratike.
“Ky ishte mandat me shum skandale, me shum ndërprerje, grindje midis grupeve parlamentare. Nuk arritëm të fitojmë instrumentet që na takojnë sikurse debatet mbikqyrëse, interpelanca të ministrave, informacione të cilat i kemi kërkuar nga qeveria. Megjithatë ka pasur edhe gjëra të mira sikurse rregullorja e re që kuvendi të hyjë në një fazë tjetër.”, tha Nikolla Micevski, deputet i VMRO- DPMNE-së.
Kundërshtime për kushtetutën dhe KSHZ-në
Stuhia që kohë pas kohe tronditi kuvendin, me polarizime, ndasi, ngërçe dhe bllokime, me sa duket vijoi edhe për çështjet më të rëndësishme sikurse ndryshimet kushtetuese dhe së fundi kompletimin e KSHZ-së.
“E shohim se deri në momentin e fundit zvarritet dhe nuk jemi ata të cilët vendosin dhe dështimin e shohim këtu, jo nga ana jonë por dështimin e vetë qeverisë dhe kryetarit të parlamentit se nuk e mer parasysh kërkesën tonë sipas ligjit, sipas rregullores të jetë një anëtarë i opozitës në KSHZ.”, tha Merita Koxhaxhiku, deputete e Lëvizjes Demokratike.
“Unë nën diktat bullgar edhe në përbërjen e ardhshme parlamentare nuk do të mbështesja ndryshime kushtetuese. Është e qartë si kristali se kush është opozitë për momentin dhe me lojrat që po bën Xhaferi dhe shumica mendoj se do ta godasin murin. Është jokorrekte që përsoni i cili duhet të mbaj llogari për zbatimin e zgjedhjeve, ta shkel procedurën nga vetë fillimi.”, tha Nikolla Micevski, deputet i VMRO- DPMNE-së.
Edhe nga pushteti jo shumë optimist rreth ndryshimeve kushtetutese në këtë mandat. Ngërçin në KSHZ e shohin të politizuar.
“Besoj se do të gjindet një zgjidhje për KSHZ-në, mirpo opozita shqiptare realisht që në fillim ka pasur qasje do të kisha thënë të gabuar apo destruktive.”, tha Arben Ziberi, deputet i BDI-së.
“Periudhën që shkoi pamë se kishte probleme në përmbushjen e kushteve të kandidatëve dhe kandidatë të tillë nuk është në rregull që të kalojnë.”, tha Daniella Koleva, deputete e LSDM-së.
“Besoj se pa këtë hap, pa këtë veprim nuk është mirë dhe kisha dasht që kjo të ndodhë, por nëse nuk ndodh shpresoj dhe besoj që të ketë afat sa më të shkurtër, sa ma racional dhe në mandatin tjetër të realizohet ndryshimi i kushtetutës.”, tha Adnan Neziri, deputet i ASH-së.
Deputetët presin që fryma e bashkëpunimit, të mbizotërojnë më shumë në përbërjen e re parlamentare duke mbështetur shpresat në rregulloren e re të arritur bashkërisht e cila nënkupton avancimin e dialogut midis partive, nuk lejon bllokimin e punës së parlamentit me amendamente të parrsyeshme dhe ndalon debate të pakufizuara.
MERALE ISMAILI
