Maqedoni
Raporti i Avokati të Popullit: stagnim dhe keqësim i të drejtave të njeriut
26.03.2015 16:19
Raporti i Avokati të Popullit për vitin 2014 flet jo vetëm për stagnim, por edhe keqësim të gjendjes së institucioneve në raport...

Raporti i Avokati të Popullit për vitin 2014 flet jo vetëm për stagnim, por edhe keqësim të gjendjes së institucioneve në raport me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Maqedoni.
Institucioni Avokati i Popullit në vitin 2014 ka vepruar në 4995 raste, që është për 400 parashtresa të dorëzuara nga qytetarët më shumë se në vitin paraprak.
“Vitin e kaluar konstatuam 1278 cenime të të drejtave dhe lirive të njeriut, prej të cilave në 1186 raste procedurat i përfunduam, kurse në 92 raste procedura është në rrjedhë. Nga 1278 raste të konstatuara cenime, në 1114 u pranuan rekomandimet e Avokatit të Popullit, kurse për 92 raste nuk arritëm t’i mbrojmë të drejtat dhe liritë e njeriut”- deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Sipas këtij raporti, qytetarët më shumë janë ankuar për vështirësi në punën e institucioneve të jurisprudencës, organeve të rendit, institucionet korrektuese, si dhe ballafaqohen me probleme të mëdha gjatë procedurave administrative.
“Jurisprudenca zë vendin e parë nga numri i ankesave që i drejtohen Avokatit të Popullit. Në vend që kjo shtyllë e shoqërisë të jetë garant i besimit të qytetarëve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, qytetarët më së tepërmi ankohen në punën e gjyqësorit. Të dhënat që ua prezantoj tregojnë se qytetarët ballafaqohen në vështirësi të mëdha në procedurat para administratës publike, gjykatave, burgjeve, policisë dhe organeve tjera që kanë autorizime publike”- tha Memeti.
Raporti më tej konstaton problemet me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucione, nga ana tjetër mbetet numri i madh i qytetarëve që nuk e deklarojnë përkatësinë nacionale gjatë ankesave të tyre. Raporti gjithashtu konstaton një përhapje më të madhe të gjuhës së urrejtjes nëpër media dhe rrjete sociale.
NAIM RAMADANI
