Maqedoni
“Bomba” XIV, skandale të mëdha të korrupsionit; Zaevi: pa ndërmjetësim të BE-së dialogu i pamundur
26.03.2015 17:00
Intervenimet e kryeministrit, Nikolla Gruevski, për montimin e tenderëve ishte tema e të ashtuquajturës “Bomba” e XIV e opozitës maqedonase...

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se në bisedat e përgjuara dëgjohet se si kryeministri negocion përqindje, që shkojnë deri në miliona euro, si ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në tenderë dhe ka favorizuar kompani për të marrë tender.
Në njërën nga bisedat dëgjohet kryeministri duke folur me drejtorin e REK-Manastir, të cilit i sugjeron që të organizojë marrjen e tenderit nga pronari i televizionit SITEL dhe se si kryeministri kërkon nga ministri, Mile Janakieski, që t’i dërgojë të dhënat për kompanitë që do të marrin pjesë në tender.
Në një bisedë tjetër Janakieski i tregon kreut të qeverisë se kinezët kanë pranuar që të japin 5 për qind nga totali i vlerës së projektit dhe se kjo shifër në të holla do të jetë 15 deri në 18 milion euro.
“A janë të nevojshme akoma dëshmi që të gjithë të kuptojmë se çfarë aktori udhëheq me shtetin tonë plot nëntë vite. Çka akoma duhet të publikojmë që të kuptojmë se çka fshihet prapa Nikolla Gruevskit? Përmes bisedave telefonike ai u dëshmoi të gjithëve se kush është ai. Tani është i frikësuar nga vetvetja dhe populli dhe duhet të jetë, sepse erdhi fundi”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev, tha se posedon prova edhe për procesin e regjistrimit të popullsisë dhe për ndërprerjen e tij, dhe do ti t’i publikojë në javët në vazhdim. Duke folur mbi dialogun që pritet të fillojë në Bruksel, ai tha se pa ndërmjetësimin e BE-së ky dialog është mision i pamundur.
“LSDM-ja asnjëherë nuk iku nga dialogu, por duhet ta dimë se është e pamundur të vendoset dialog pa ndërmjetësimin e BE-së dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Nuk dëshiroj të komentoj mbi pritjet tona paraprakisht. Qëndrimet tona janë të qarta, qytetarët e dinë pse ne nuk jemi në parlament. Ne duam të japim një shans për dialog, por nuk do të hy në detaje”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Kreu socialdemokrat paralajmëroi publikimin e përgjimeve të përfaqësuesve të opozitës maqedonase që kanë bashkëpunuar me pushtetin.
Zaev, tha se nuk do të publikojë përgjimet e përfaqësuesve të sektorit civil, të aktivistëve për të drejtat e qytetarëve dhe të krerëve të bashkësive fetare.
Kjo pasi, siç tha ai, ata nuk kanë të bëjnë me pushtetin dhe se nuk është e drejtë që pas përgjimit për vite me radhë tani ato materiale të publikohen dhe këta persona të jenë objekt i komenteve të papëlqyeshme në opinion.
Ndërkohë, edhe sot nuk mungoi kërkesa e Zaevit që kryeministri Gruevski të japë dorëheqje.
SANIJE KASAMI
