Maqedoni
Nata e vitit të ri kaloi e qetë, Spasovski: Gjendja e sigurisë, e favorshme
01.01.2024 14:33
Qytetarët e vendit festuan qetë gjatë natës së ndërrimit të motmoteve...

Qytetarët e vendit festuan qetë gjatë natës së ndërrimit të motmoteve. Nuk u shënua ndonjë incident ndërkohë që policia me forca të shtuara ishte e pranishme në teren e angazhuar për sigurinë. Ministri për punë të brendshme Oliver Spasovski tha se kishte disa përjashtime të izoluara me prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe gjithsej 12 vepra penale, për të cilat po ndërmeren masa për ti ndriçuar.
“Kemi gjithsej 12 vepra penale në mbarë shtetin, pjesa më e madhe tregëti me narkotikë dhe një kërcënim të sigurisë. Kemi të regjistruar edhe 20 shkelje të ligjit për rend dhe qetësi publike, 2 shkelje të sigurisë në trafik, 8 aksidente me dëme materiale. Ky është numri më i ulët i aksidenteve që kanë ndodhur deri më tani. Gjithashtu ka pasur edhe 11 ankesa qytetarësh. Nëse shohim gjëndjen në total janë regjistruar nga 1 ose 2 raste nëpër qytete të ndryshme, ndërkaq në Shkup dhe Tetovë kemi numrin më të madh të rasteve, por në përputhje me numrin e qytetarëve mund të themi se kishim një natë stabile.”, tha Oliver Spasovski, ministër për punë të brendshme.
Me shfrytëzimin e limituar të mjeteve piroteknike pas konfiskimit të konsiderueshëm vitin që po lëmë pas, ministri Spasovski tha se nuk janë raportuar incidente nga përdorimi I tyre.
“Këtë vit nuk kemi asnjë person të lënduar nga mjetet piroteknike, ndërkaq intensiteti i punës së policisë ndikoi që të kemi konfiskimin e mbi 100 mijë copë mjete piroteknike gjatë vitit 2023.”, tha Spasovski.
Gjatë vizitës në stacionin policor në Gjorçe Petrov, Spasovski zbuloi edhe disa të dhëna nga aktivitetet e policisë gjatë vitit të kaluar për një qytet të sigurt, sikurse arrestimin e 149 personave pas hetimit të identitetit të mbi 10 mijë e 800 personave, kontroll të më shumë se 9 mijë personave dhe mbi 5 mijë e 200 veturave. Kontrollet janë realizuar pas kërcënimit të sigurisë publike, prodhim antiligjor dhe lëshim në përdorim të narkotikëve, falsifikim të dokumenteve, parave dhe vjedhjeve të rënda.
MERALE ISMAILI
