Maqedoni

Bilanci i urgjencës, janë bërë gjithsej 103 ekzaminime

01.01.2024 14:54

Nata e vitit të ri nuk ka kaluar aq qetë në Klinikën Universitare në Shkup...

Nata e vitit të ri nuk ka kaluar aq qetë në Klinikën Universitare në Shkup. Mbrëmë në Qendrën Emergjente janë bërë gjithsej 103 ekzaminime. Përveç të lënduarve në tri aksidente trafiku, në shërbimin urgjent është sjellë edhe një pacient 20 vjeçar i cili është therr me thikë gjatë një sulmi fizik. Ai është shtruar në Klinikën e Kirurgjisë Torako-Vaskulare dhe ndodhet në gjendje stabile.
 
“Gjatë natës së vitit të ri në Qendrën Urgjente në Shkup janë bërë 103 kontrolle, prej të cilave tri aksidente trafiku. Një pacient është pranuar në Klinikën për Kirurgji Digjestive për trajtim të mëtejshëm dhe është në gjendje stabile, tri sulme fizike prej të cilave një pacint është pranuar në Klinikën për Kirurgji Torako-Vaskulare. Bëhet fjalë për therrje me thikë, i cili është pranuar për trajtim të mëtejshëm dhe është në gjendje stabile. Të gjithë të tjerët kanë qenë me lëndime të lehta, pa pasoja të mëdha, ashtu që janë lëshuar në shtëpi.”, tha Eren Sejfullah nga Qendra Urgjente. 
 
Në natën e ndërrimit të viteve në Klinikën e Toksikologjisë janë pranuar 23 pacientë të dehur, prej të cilëve gjysma kanë qenë adoleshent, kurse pacienti më i ri ishte 14 vjeç. Të gjithë janë lëshuar për mjekim shtëpiak dhe kanë deklaruar se helmimi ka ndodhur për shkak të alkoolit.
 
“Shumë shpesh ndodh që një pjesë e pacientëve të mos tregojnë të vërtetën kur i pyesim. Ata zakonisht thonë se kanë konsumuar vetëm alkohol. Gjatë natës shumica e pacientëve kanë deklaruar se helmimi ka ndodhur për shkak të alkoolit.”, tha Kirill Naumovski nga Klinika për Toksikologji.
 
Ndërkohë Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 2145 thirrje në numrin e vetëm të Urgjencës 112. Prej tyre 42,33 për qind ishin “reale”, dhe 57,67 për qind për nevoja të tjera jo urgjente të qytetarëve.
 
“Sipas natyrës së përgjithshme të ngjarjeve për të cilat kanë telefonuar qytetarët, 56% e thirrjeve janë bërë në polici, 38% në Shërbimin e Urgjencës Mjekësore, ndërsa 3,5% tek Zjarrfikësit nga thirrjet reale në 112 në QKM.”, thuhet në njoftimin e QMK-së.
 
ERSAN PAJAZITI