Botë
Kosovë, hiqen vizat për udhëtime në zonën shengen
01.01.2024 15:34
Qytetarët e Kosovës nga sot do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Shengen....

Qytetarët e Kosovës nga sot do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Shengen.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, u organizua udhëtimi i parë i 50 qytetarëve, që fituan udhëtimin drejt Vjenës së Austrisë në kuadër të të një fushate informuese të autoriteteve lidhur me liberalizimin e vizave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për vite të tëra qytetarët u privuan nga e drejta për të lëvizur pa viza në zonën Shengen.
Gjatë ceremonisë në Aeroportin e Prishtinës, Kurti u kërkoi qytetarëve që udhëtojnë pa viza që të respektojnë kërkesat dhe kriteret.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në shtetet anëtare të zonës Shengen, veç Spanjës pasi Madridi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe as pasaportat e saj.
