Maqedoni
Drejt arrestimit dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë
26.03.2015 17:02
Deputetët, Tom Doshi dhe Mark Frroku, të përfshirë në çështjen e shumëpërfolur të vrasjes së Doshit, janë drejt arrestimit...

Parlamenti shqiptar votoi sot pro heqjes së mandatit të tyre, duke i hapur rrugën prokurorisë që t’i kërkojë gjykatës urdhër-arrest për të dy.
Tanimë është thjesht çështje orësh deri në momentin kur të realizohet prangosja e dy deputetëve, Doshi e Frroku, të akuzuar për dëshmi të rreme.
Menjëherë pasi parlamenti votoi pro heqjes së mandatit të tyre, deputeti Doshi u shfaq mjaft gjakftohtë, duke thënë se e pret arrestimin e tij. Ndërsa Mark Frroku pretendoi se është përfshirë aksidentalisht në këtë çështje dhe se nuk ka lidhje me çështjen “Doshi”. Ai tha se u përmbahet deklarimeve të dhëna para hetuesve.
Tetëdhjetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë votuan gjatë seancës së sotme plenare pro heqjes së imunitetit për deputetin, Tom Doshi, dhe 79 vota pro e një abstenim për heqjen e mandatit të kreut demokristian, Mark Frroku. Opozita braktisi votimin, ku ka qëndruar vetëm deputetja e djathtë, Mesila Doda. Ajo ka votuar pro heqjes së mandatit për të dy deputetët.
LULJETA NDOKA
