Maqedoni
Analistët: kriza politike nuk do të eskalojë në destabilizim
26.03.2015 17:09
Në pritje të fillimit të bisedimeve mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, që janë paralajmëruar për të hënën e javës që vjen në Bruksel...

Në pritje të fillimit të bisedimeve mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, që janë paralajmëruar për të hënën e javës që vjen në Bruksel, analistët politik në vend vlerësojnë se edhe përkundër krizës së thellë politike ajo nuk do të ndikojë në destabilizimin e vendit.
Profesori universitar, Nano Ruzhin, thotë se nuk ka rrezik për destabilizim, por vetëm do të “degruevizohet” shteti.
“Është metaforike të thuhet se destabilizimi i Maqedonisë do të ishte destabilizim i gjithë rajonit, por besoj në “degruevizim” të sistemit. Ne kemi një sistem pa kapacitet demokratik, pa institucione të cilat funksionojnë siç duhet, pa demokraci, me anomali të shumta, politikanë të burgosur, afera të shumta, që do të thotë që kjo garniturë nuk mund të mbijeton në kushtet aktuale”- deklaroi profesori universitar, Nano Ruzhin.
Në takimin e paraparë për të hënën mes VMRO-së dhe LSDM-së në Bruksel, do të marrin pjesë edhe europarlamentarët, Eduard Kukan, Richard Howitt dhe Ivo Vajgëll, por do të mungojnë partitë politike shqiptare.
BDI dje u shpreh e interesuar të jetë pjesë e këtij dialogu, por të paktën në takimin e parë duket se nuk do të jetë e pranishme.
Sa i përket takimit të së hënës, nuk janë dhënë detaje se në çfarë formati do të prezantohen VMRO dhe LSDM, por konstatimi i përbashkët i partive politike dhe analistëve politikë është se ndërmjetësimi i BE-së është i domosdoshëm për tejkalimin e krizës politike, e cila së fundmi po rezulton edhe si pengesë për proceset integruese të Maqedonisë.
BESA JASHARI
