Liga e parë: Posti i trajnerit më i pasigurti
01.01.2024 18:13
Nga 12 skuadrat aktuale të ligës së parë, vetëm dy skuara nuk kanë ndryshuar trajner në vitin e kaluar 2023...

Nga 12 skuadrat aktuale të ligës së parë, vetëm dy skuara nuk kanë ndryshuar trajner në vitin e kaluar 2023, gjë që tregon se kjo detyrë në ligën e parë është profesioni më i pasigurt. Disa nga skuadrat kanë ndërruar edhe dy trajnerë, e disa edhe tri, si Rabotniçki, Vardari, Brera.
Në mesin e atyre që “mbijetuan” gjithë vitin 2023 pa u zëvendësuar janë vetëm Goran Zdravkov, i cili qëndroi në krye të Bregalnicës nga Shtipi dhe Gjorgi Mojsov, i cili pas emërimit në shtator të 2022, është ende trajner i Tikveshit. Gjitha skuadrat tjera vendosën të ndërrojnë trajnerët. Nga marsi, Struga emëroi trajner të ri Shpëtim Duron, i cili zëvendësoi Srdjan Zaharievskin, ndërsa ndryshimi i trajnerit nuk e prishi planin e struganëve për të arritur titullin e parë historik kampion. Kampioni paraprak Shkupi ndëroi tre trajnerë në në vitin 2023. Viti u nis me Goce Sedloski, që u zëvendësua nga Cihat Arslan në mars. Nga ana tjetër, Arslan u largua në shtator për arsye familjare dhe në vend të tij erdhi Mladen Žižović. E njëjta gjë ndodhi edhe me Shkëndijen, e cila falënderoi Qatip Osmanin në fund të sezonit 2022/23 dhe emëroi në krye Ardian Nuhiun. Mirëpo, ata u ndanë vetëm pas gjashtë muajsh, pra pas përfundimit të pjesës vjeshtore, ndaj Shkendija do të ketë trajner të ri në pjesën e pranverore, që pritet të jetë Jeton Beqiri.
Rabotniçki këtë vit u drejtua nga tre trajnerë: Milan Ilievski, Goran Stanic dhe tani Goce Sedloski, i cili u emërua në nëntor. Sileksi vendosi të ndahet nga Gorazd Mihailov pas përfundimit të pjesës vjeshtore të sezonit aktual, ndërsa Makedonija Gjorce Petrov zëvendësoi Muarem Bajramin me Goran Simovin dhe më pas Simovin me Xhangarovskin. Brera kishte plotë pesë trajnerë gjatë vitit 2023. Filluan me Vasoskin, i cili u largua nga klubi në maj, dhe më pas për një kohë të shkurtër klubin e drejtoi Toni Atanasov. Nga fillimi i këtij sezoni erdhi italiani Giovanni Valenti, i cili u shkarkua në fillim të dhjetorit, kështu që për një ndeshje ekipin e drejtoi Gjorge Stojçev dhe pas përfundimit të pjesës vjeshtore skuadra emëroi në krye sllovenin Bojan Kruljn.
Debutuesi i ligës së parë Voska Sport vendosi ta zëvendësojë Berat Imerin me Miljan Radoviq pas sigurimit të pjesëmarrjes në shoqërinë elitare, ndërsa në Vardar ka pasur ndryshim pasi Grncharov është zëvendësuar nga Vasoski, dhe Vasoski është larguar pas përfundimit të sezonit vjeshtor dhe në vijim ai do të udhëheq Sileksin, ndërsa ekipin nga Shkupi do ta udhëheq trajneri I deridjeshëm i Sileksit, Gorazd Mihailov. Shumë ndryshime kishte edhe në Gostivar, ku u ndërruan katër trajnerë. Vitin 2023, ata e nisën me Oktar Derelioglu, ndërsa nga prilli deri në shtator, ekipi drejtohej nga Murat Daban. Nga tetori detyrën e morri Emre Ozbayer, i cili qëndroi vetëm 12 ditë, ndërsa nga 24 tetori skuadra drejtohet nga Muarem Muarem, që po debuton në rolin e trajnerit.
