LSDM, këtë vit rritje të pensioneve dhe rrogave

02.01.2024 11:09

Partia maqedonase në pushtet LSDM...

Partia maqedonase në pushtet, LSDM, paralajmëron se në vitin 2024 do të vazhdojë rritja e pensioneve dhe pagës minimale. Nga kjo parti thonë se nga muaji mars vijon rritja e re e pagës minimale, e cila do të jetë 22,500 denarë.

“LSDM-ja për 5 vite e ka rritur pagën minimale 4 herë, ndërsa këtë vit 2024 vijon rritje e re. Në kohën e DPMNE-së paga minimale ishte 9 mijë denarë, ndërsa në disa sektore punëtorët merrnin edhe paga më të ulëta. LSDM-ja e ka përmirësuar padrejtësinë, punëtori të marrë pagë dinjitoze për punën që e bën. Vetëm për disa vite LSDM-ja e ka rritur pagën minimale për më shumë se dyfish, mbi 100% në krahasim me kohën e DPMNE-së.”, - deklaroi Elena Ustamitova nga LSDM-ja.

Nga LSDM-ja theksojnë se aktualisht paga mesatare është 300 euro më e lartë se në vitin 2016.

“Ne kemi futur zgjidhje ligjore, të cilat përmbajnë një metodologji për rritje të bazuar në rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare. Me LSDM-në, pagat dhe pensionet do të vazhdojnë të rriten.”, thuhet në njoftimin e partisë.

VMRO-DPMNE: Populli jeton në skamje dhe varfëri

Por, me kaq optimizëm nuk e vlerëson gjendjen VMRO-DPMNE-ja, sipas së cilës vendi në 365 ditët e kaluara ka përjetuar disfata, përulje, skamje dhe varfëri që e ka sjellë qeveria LSDM-BDI.

“Qeveria gënjeu se inflacioni është i importuar, ndërsa jemi dëshmitarë se kemi 50% inflacion më të madh se sa në eurozonë, ku gjenden partnerët tanë më të mëdhenj ekonomik. Përderisa në Maqedoni jetohet më keq se sa para 7 viteve, Sot në Maqedoni jetohet më keq sesa në të gjitha vendet fqinje nga Bosnja dhe Hercegovina deri në Shqipëri.”, - theksoi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE-ja.

Nga VMRO-DPMNE-ja theksojnë se presidenti Stevo Pendarovski nga 92,000 denarë, tani me rritje prej 78% në muaj merr 165,000 denarë pak mbi 2,500 euro. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi dhe kryeministri, Dimitar Kovaçevski, me rritje marrin 50 euro më shumë për çdo ditë pune, përkatësisht Xhaferi merr rrogë mbi 166,000 denarë, derisa Kovaçevski 156,000 denarë, potencojnë nga partia opozitare. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)