Botë

Tragjedia e “Germanwings”, piloti i dytë e rrëzoi qëllimisht avionin

26.03.2015 17:17

Kutia e parë e zezë ofron dëshmi se avioni A320 i “Germanwings” duket se është rrëzuar qëllimisht...

Ndihmës-piloti nuk ia hapi derën kapitenit që kërkoi të kthehet në kabinë, përderisa nga kabina nuk dëgjohet asnjë reagim. Versioni është publikuar nga prokurori që po heton tragjedinë, Brice Robin, në Marsejë.
 
Sipas versionit, në fillim dy pilotët po bisedonin, më pas komandanti ka dalë nga kabina, por në kthim e ka gjetur derën të mbyllur dhe është përpjekur ta hapë.
 
150 pasagjerët që ndodheshin në bord e kanë kuptuar vetëm në momentin e fundit atë që po ndodhte dhe kanë nisur të klithin. Ata ishin viktima të një drame që hap pas hapi po gjen shpjegim. 
 
“Avioni ishte në funksion përmes pilotit automatik. Komandanti i tha ndihmësit të tij: “Po të lë drejtimin” dhe më pas shkoi në tualet. Më pas, ndihmësi bllokoi eksesin në kabinë dhe, sipas të dhënave të rekuperuara nga kutia e zezë, ishte gjallë në momentin e impaktit. Për rrjedhojë, mbeti i vetëm në kabinë dhe aktivizoi butonat e zbritjes së avionit. Në atë moment ne mund të dëgjojmë vetëm frymëmarrjen. Më pas dëgjohet kontakti i kullës së kontrollit në Marsejës, por pa përgjigje”- deklaroi prokurori, Brice Robin.
 
I pyetur se cilës prejardhje etnike i përkiste piloti, hetuesi nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet.
 
Sipas të dhënave të kompanisë “Lufthansa”, 28 vjeçari kishte nisur punën në këtë grup në shtator të vitit 2013 dhe kishte bërë që prej atëherë 630 orë fluturim.
 
Ndërsa kapiteni kishte mbi 6 mijë orë fluturim dhe ishte piloti i parë i “Germanëings” që nga maji i vitit 2014.
 
Më parë, përveçse për “Lufthansa” kishte punuar edhe për Kompaninë “Condor”. Pas publikimit të fakteve, hija e vetëvrasjes, por edhe ajo e një atentati kanë filluar të mbulojnë motivet e tragjedisë.
 
Sipas gazetës franceze “Le Figaro”, hetimi mbi sigurinë ajrore mund të kthehet shumë shpejt në një hetim kriminal.
 
“Hipoteza e atentatit apo ajo e vetëvrasjes së pilotit, që mbeti i vetëm në kabinën e pilotazhit, mund të marrin më shumë peshë në orët në vazhdim”- shkruan gazeta.
 
Ndërsa e përditshmja tjetër “Le Monde” pretendon për një tjetër pistë kur shkruan në edicionin e saj online se ishte komandanti i bordit që ndodhej në kabinë dhe bashkëpunëtori i tij jashtë saj.  
 
LEUNORA KALIQI