Japoni, të paktën 48 të vdekur nga tërmeti

02.01.2024 11:42

Ushtria ka filluar të dislokohet në zonat e prekura nga tërmetet...

Një sërë tërmetesh të fuqishme që goditën Japoninë perëndimore kanë lënë të paktën 48 persona të vdekur dhe kanë dëmtuar mijëra ndërtesa, automjete dhe anije.

Autoritetet në Japoni u bënë sot thirrje njerëzve në disa zona që të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut se vendi mund të goditet nga tërmete të tjera të fuqishme. Dridhjet pasuese të tokës kanë goditur prefekturën e Ishikavas dhe zonave përreth një ditë pasi një tërmet i fuqishëm prej 7,6 ballësh goditi këtë zonë. Dyzet e tetë persona janë konfirmuar të vdekur në Ishikava, thanë zyrtarët.

Gjashtëmbëdhjetë të tjerë janë të plagosur seriozisht, ndërkaq sipas zyrtarëve, dëmi në shtëpi është aq i madh, saqë aktualisht nuk mund të vlerësohet.

Në disa zona nuk ka ujë, energji dhe as shërbime të telefonisë. Ushtria japoneze ka dislokuar 1,000 ushtarë në zonën e fatkeqësisë për t’iu bashkuar përpjekjeve të shpëtimit, tha sot kryeministri, Fumio Kishida.

Derisa kryeministri Kishida po i adresohej mediave, një tërmet prej 5,6 ballësh goditi zonën e Ishikavas.