Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, katër persona të vrarë dhe 92 të tjerë të lënduar

02.01.2024 14:20

Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë...

Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë. Gjatë mëngjesit e së martës mbi katër persona janë vrarë dhe 92 të tjerë u lënduan në sulmet me fluturake pa pilot në rajonin e Kievit dhe Harkovit.

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski i cilësoi këto sulme si një ndër sulmet më agresive ndaj Ukrainës.  Disa zona të kryeqytetit janë ende pa energji elektrike, ndërsa banorët vazhdojnë të jetojnë në ankth dhe frikë nga përsëritja e këtyre sulmeve.

Zelenski në intervistën e dhënë për “Ekonomist”, vlerësoi se ushtria e presidentit rus, Vladimir Putin, në 2023, nuk arriti të pushtojë asnjë qytet, ndërsa Ukraina arriti të deportojë bllokadën ruse në Detin e Zi, duke siguruar transportin e miliona tonëve drithëra.

"Sot Rusia ka përdorur pothuajse të gjitha llojet e armëve që posedon në arsenalin e saj. Gjithsej 110 raketa janë lëshuar kundër Ukrainës, shumica e tyre janë rrëzuar në tokë. Ndoshta nuk ia dolëm në 2023 siç donte bota. Ndoshta gjithçka nuk po ndodh aq shpejt sa e imagjinonte dikush. Por, mendimi se Putini po fiton nuk është asgjë tjetër, përveçse një ndjenjë. Realiteti është se ushtarët rusë vdesin në vende si Avdievka.", - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Duke u thirrur në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, mediat botërore shkruajnë se në sulmet e 2 janarit është lënduar edhe deputetja dhe kryetarja e partisë politike ukrainase “Golos”, Kira Rudik, e cila ka shkruar në rrjetet sociale se shtëpia e saj është pjesërisht në rrënoja dhe se për momentin ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Kryetari i Bashkësisë i Kievit, Vitali Klitçko, tha se një pjesë e të lënduarve janë shtruar në spital.

“Në sulmet me raketa ruse ndaj Kievit në mëngjes u plagosën 16 persona, ndërsa 15 të tjerë u shtruan në spital. Ata u plagosën gjatë shpërthimit të zjarrit në një ndërtesë shumëkatëshe në lagjen “Solomenski” pas një goditjeje ajrore. Në rajonin Podolsk u dëmtua objekt infrastrukturor dhe rrjeti i gazsjellësit, ndërsa disa zona të kryeqytetit janë pa energji elektrike.”, - theksoi kryetari i Bashkësisë së Kievit, Vitali Klitçko.

Njëherit Zelenski bëri të ditur se ka dërguar kërkesën deri tek udhëheqësia ushtarake ukrainase për mobilizimin e 500 mijë ushtarë të tjerë, mobilizim ky i cili Ukrainës do t’i kushtojë rreth 12,2 miliardë euro, tha Zelenski.

Zelenski shprehet optimist se edhe gjatë këtij viti nuk do të mungojë ndihma financiare e premtuar nga ShBA-ja për Ukrainën, me çka ata do të mund të vazhdojnë kundërpërgjigjen e tyre ushtarake dhe të mposhtin Rusinë. Edhe përfaqësuesi humanitar i KB-së për Ukrainën, Deniz Braun, në rrjetet sociale dënoi sulmet e fundit ruse ku u vranë të paktën një duzinë njerëz dhe kanë plagosur më shumë se 70 në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta. Për atë, ky është një shembull tjetër i papranueshëm i realitetit të tmerrshëm me të cilin përballet populli ukrainas e që ka bërë vitin 2023 një vit tjetër me vuajtje të jashtëzakonshme. (Rexhep Qamili, TVM2)