Botë

Heqja e vizave forcoi pasaportën e Kosovës, Osmani uron kosovarët për heqjen e vizave

02.01.2024 14:44

Pas liberalizimit të vizave, pasaporta e Republikës së Kosovës është fuqizuar në radhitjen botërore....

Pas liberalizimit të vizave, pasaporta e Republikës së Kosovës është fuqizuar në radhitjen botërore. Nga vendi i 91-të që ishte deri më 1 janar në ranglistën botërore, sipas indeksit të pasaportave, tani pasaporta kosovare është e 55-ta në botë për nga fuqia e saj. Me pasaportën e Kosovës, pa vizë mund të udhëtohet në 50 shtete, në 41 të tjera viza mund të merret pas mbërritjes e për 107 shtete, nevojitet vizë. Për liberalizimin e vizave, kosovarët i ka uruar edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili e ka quajtur këtë moment historik edhe për progresion e rajonit në tërësi.
 
“Urime Kosovës për arritjen e liberalizimit të vizave me hapjen e mundësive të reja për udhëtime dhe bashkëpunim të zgjeruar, duke promovuar lidhje më të mëdha. Një moment historik i rëndësishëm për përparimin dhe prosperitetin e Kosovës, njerëzve të saj dhe për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor.”, ka shkruar Osmani në X. 
 
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit të BE-së për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës, qytetarë të shumtë nëpërmjet aeroportit “Adem Jashari” apo pikave kufitare janë nisur drejtë vendeve të BE-së, ku jeton një numër i madh i diasporës kosovare. Ndërkohë nga BE-ja kanë sqaruar se liberalizimi i vizave nuk vlen për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Departamenti i Koordinimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë.
 
GYLTENE SINANI