Maqedoni

Kuvend, më 16 janar, seanca e parë plenare

02.01.2024 15:25

Kuvendi do të nisë punimet pas festës së Krishtlindjes, ndërkaq seanca e parë është parashikuar më 16 janar....

Kuvendi do të nisë punimet pas festës së Krishtlindjes, ndërkaq seanca e parë është parashikuar më 16 janar. Sfidë kryesore gjatë muajit do të jetë votimi i Qeverisë teknike më 28 janar. Seanca plenare pritet të nisë një ditë më herët, më 27 janar. Paraprakisht do të bëhet shkarkimi i Xhaferit, i cili do ta kryesojë Qeverinë teknike dhe më pas emërimi i Jovan Mitreskit në krye të Kuvendit.
 
Qeveria teknike, pritet takim Kovaçevski - Mickoski
 
Me gjithë angazhimet në Kuvend, fjalën e fundit për Qeverinë teknike dhe emërimet e ministrave pritet ta thonë dy liderët e partive maqedonase, LSDM-ja dhe VMRO-ja, Kovaçevski dhe Mickoski. Të dy liderët janë për bisedime, por kur do të ndodh takimi i përbashkët, ende nuk dihet.
 
Nga VMRO – DPMNE-ja ende nuk janë mbledhur për të konkretizuar emrat. Ata do të duhet të nominojnë ministra në Ministrinë e Brendshme dhe të Punës dhe Politikës Sociale.
 
Nga LSDM-js kanë vendosur që Jovanka Trençevska, ministrja aktuale e Sociales të kalojë si zëvendësministre e këtij dikasteri. Zëvendësministër i brendshëm do të duhet të jetë Mitko Bojmaçaliev. Qeveria 100 ditëshe për realizimin e zgjedhjeve në krye me Xhaferin do të votohet me 61 vota të deputetëve.
 
Sfidë në vete gjatë janarit mbetet edhe kompletimi i KShZ-së, gjegjësisht vendit vakant të cilin e pretendon blloku opozitar shqiptare, paralelisht me partinë popullore evropiane të Arianit Hoxhës. Nëse partitë nuk arrijnë dakordim, ekziston mundësia e ripërsëritjes së konkursit në kohëzgjatje prej 8 ditëve ose KShZ-ja të funksionojë me një anëtarë më pak.
 
Pas zgjedhjes së Qeverisë teknike kah mesi i shkurtit do të shpallen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Sipas kalendarit zgjedhor, më 24 prill do të zhvillohet raundi i parë i presidenciales, ndërkaq më 8 maj raundit të dytë të presidenciales do t’i bashkëngjiten zgjedhjet parlamentare.
 
MERAL ISMAILI