Botë
Tërmeti në Japoni me viktima dhe të plagosur, hiqet paralajmërimi për Cunami
02.01.2024 15:44
Të paktën 50 viktima të konfirmuara dhe mbi 200 të plagosur është bilanci i shënuar në Japoni...

Të paktën 50 viktima të konfirmuara dhe mbi 200 të plagosur është bilanci i shënuar në Japoni, pasi vendi u godit të hënën nga një tërmet shkatërrues prej 7,5 ballësh. Skena shkatërrimi janë shfaqur mëngjesin e së martës përgjatë bregut perëndimor të Japonisë, ndërkaq ekipet e shpëtimit janë në luftë për të shpëtuar njerëz, të cilët kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Më shumë se 30 mijë familje kanë ngelur pa energji elektrike, shtëpi pa ujë të pijshëm. Kryeministri japonez ka thënë se rrugët e shkatërruara pamundësojnë hyrjen në zonë.
“Bëjmë garë me kohën për t’i shpëtuar viktimat nga katastrofa. Kemi vështirësi për shkak të rrugëve të shkatërruara. Është konstatuar dëm i konsiderueshëm, përfshirë edhe numër i madh i viktimave, ndërtesa të rrënuara dhe zjarre. Për momentin ekipet po punojnë në riparimin e rrjetit elektrik dhe të ujësjellësit.”, - deklaroi kryeministri i Japonisë, Fumijo Kishida.
Qytetarët kanë kaluar natën nën qiell të hapur në makina, tenda dhe strehimore, të ndihmuar me ushqim, ujë dhe batanije nga ushtria e vendit.
“Isha në dhomën e ditës me bashkëshortin kur gjithçka filloi të dridhej. Murri u shemb saqë mund ta shihnim dhomën tjetër. Nuk do të mund të jetojmë më këtu.”, - theksoi një banore.
Ndërkohë, Agjencia meteorologjike e Japonisë ka hequr paralajmërimet për Cunami pasi që konstaton se janë shënuar vetëm valë të vogla. Viti i Ri Japoninë nuk e la të qetë as në ditën e dytë të vitit kalendarik. Në pistën e aeroportit të Tokios, një aeroplan është përfshirë nga zjarri pasi është përplasur me një avion të rojës bregdetare që ndihmonte lehtësimin e tërmetit. Raportohet për pesë anëtarë të vdekur të ekuipazhit të rojës bregdetare, ndërkaq kapiteni është në gjendje kritike. Fatmirësisht të gjithë pasagjerët e aeroplanit “Japan Airlines” janë evakuuar.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
