Maqedoni

Pyetje deputetësh, Gruevski parapëlqen zgjidhje juridike për krizën

26.03.2015 18:19

Pavarësisht kritikave për sistemin gjyqësor, mungesës së besimit të qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit qeveritar në organin e akuzës dhe në gjykata...

Pavarësisht kritikave për sistemin gjyqësor, mungesës së besimit të qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit qeveritar në organin e akuzës dhe në gjykata, kryeministri, Nikolla Gruevski, parapëlqen që skandali me përgjimet dhe kriza e përgjithshme në vend të merr epilog juridik. 
 
Në pyetjen e deputetes, Roza Topuzova-Karevska, nëse qeveria ka plan për nxjerrjen e vendit nga kriza, kryeministri Gruevski tha se plani i vetëm i qeverisë për dalje nga kjo situatë është ndjekja penale e të gjithëve që kanë shkelur ligjin.
 
“Kryeministër i nderuar, a keni plan A? Sinqerisht ju duhet edhe plan B për dalje nga kriza! Ju pyes pasi qytetarët ju jua dhanë besimin që ta drejtoni shtetin dhe ju jeni njeriu që ka përgjegjësi dhe obligim, që të keni plan për dalje nga kriza. Nëse keni, duam ta dëgjojmë në kuvend, ku edhe është vendi që ta tregoni”- deklaroi deputetja e pavarur, Roza Topuzova-Karevska.
 
“Sigurisht që kemi plan. Plani është që gjithsecili, që në çfarëdo mënyre ka shkelur ligjin edhe me regjistrimin e materialeve jolegale edhe me emitimin edhe me çfarë do qoftë hapi për të cilin do të gjendet dëshmi se dikush ka shkelur ligjin, të përgjigjet para institucioneve të shtetit. Kuptohet, ne nuk i ikim dialogut dhe bisedime, por ato bisedime nuk mund të jenë çfarë do qoftë tregtimi me diçka që është shkelje e ligjeve të RM-së”- tha kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
Ndërkaq, deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu, pyeti ministren e Brendshme, Gordana Jankullovskën, pse nuk ka epilog për rastin rreth keqpërdorimeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve lokale në Çair.
 
Ai pyeti ministrin e Ambientit, Nurhan Izairin, se pse nuk jep dorëheqje kur më nuk mund të parandalojë ndotjen në Tetovë dhe pyeti zëvendëskryeministrin, Musa Xhaferi, pse nuk i tërheqin projektligjet të cilët kundërshtohen edhe nga deputetët e BDI-së. Për dy pyetjet e fundit, Fazliu do të merr përgjigje me shkrim.
 
Ndërkaq, për zgjedhjet në Çair, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, tha se për këtë rast është Prokuroria ajo që duhet të japë përgjigje.       
 
SHPËTIM NUREDINI