Bejrut, vritet numri dy i Hamasit
03.01.2024 13:12
Pas vrasjes së numrit të dytë politik të Hamasit, Saleh Arourit...

Pas vrasjes së numrit të dytë politik të Hamasit, Saleh Arourit, gjithnjë e më të fuqishme janë paralajmërimet se lufta izraelito-palestineze mund të përshkallëzohet dhe e njëjta të zgjerohet edhe në Lindjen e Mesme. Hamasi kërkon përgjegjësi nga Izraeli për vrasjen e liderit të tyre. Izraeli ende nuk e ka pranuar zyrtarisht vrasjen, edhe pse mediat izraelite e cilësuan këtë vrasje si fund i epokës së Hamasit dhe ndalesë e mundshme në lirimin e pengjeve. Sulmi ajror i së martës goditi një ndërtesë banimi në rrethinën e Bejrutit, në të cilën ndodhej Arouri.
“Operacioni i djeshëm i vrasjes ishte shumë i rëndësishëm. Ne qytetarët e kësaj rrethine dënojmë ashpër këtë gjë dhe po e presim kundërpërgjigjen ushtarake për atë që ndodhi dje.”, - tha një banor i Bejrutit.
“Dronin e dërguan sepse nuk kanë guxim të përballen me përplasje direkte ushtarake. Ky dron ushtarak u përngjan atyre, sepse është i ngarkuar me shumë urrejtje.”, - u shpreh një banor tjetër i Bejrutit.
Lideri i Hezbollahut, Sajed Hasan Nasrallah, paralajmëroi se do të kundërpërgjigjet ndaj çdo sulmi të Izraelit mbi zyrtarët palestinezë në Liban. Përgjatë kufirit mes dy shteteve vazhdojnë të këmbejnë zjarr, ndërsa mediat botërore shkruajnë se mbrëmë vonë, Hesbollah ka njoftuar se ka lëshuar një mori raketash në veri të Izraelit, megjithëse nuk i lidh drejtpërdrejt me vrasjen e Arourit. Autoritetet e Izraelit thanë se ushtria izraelite është e gatshme të përballet me çdo lloj skenari. Në pjesën jugore të Gazës vazhdojnë luftime të rënda në tokë, ujë dhe ajër. Izraeli është në gatishmëri të lartë për një përshkallëzim me grupin libanez Hezbollah.
“Mbrojta izraelite është në nivel të lartë të përgatitjes në të gjitha fushat, sidomos në mbrojtjen dhe sulmet. Mbetemi të fokusuar në luftën kundër Hamasit. Forcat tona ushtarake vazhdojnë të luftojnë ashpër në rajonin e Kanjunis duke i shkatërruar terroristët.”, - theksoi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari.
Nga grupi libanez, Hezbollah, thonë se vrasja e funksionarëve të lartë të Hamasit paraqet sulm serioz ndaj Libanit dhe zhvillim i rrezikshëm të luftës me Izraelin, e cila sipas tyre, nuk do të kalojë pa u dënuar. KB-ja i bën thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale.
“Për shkak të eskalimit të situatës dhe ndjeshmërisë së situatës në rajon, bëjmë thirrje për përmbajtje maksimale nga të gjitha anët. Nuk dëshirojmë të shohim disa veprime të cilat do të shkaktojnë dhunë shtesë.”, - u shpreh Florensia Soto Nino nga OKB.
ShBA-ja dënoi ashpër prononcimin e disa zyrtarëve të Izraelit se palestinezët duhet të inkurajohen për të migruar nga Gaza, ndërsa hebrenjtë të zhvendosur të kthehen në rajonet e pushtuara nga Izraeli. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, kjo retorikë është e papërgjegjshme. Pozicioni i ShBA-së është se Gaza është vend palestinez.
REXHEP QAMILI
