Maqedoni

Mbledhje e Këshillit Gjyqësor, u shqyrtua vendimi për rikthimin e Damevës

03.01.2024 15:00

Këshilli Gjyqësor u mblodh pas aktvendimit të Gjykatës Administrative, e cila refuzon shkarkimin e Vesna Damevës....

Këshilli Gjyqësor u mblodh pas aktvendimit të Gjykatës Administrative, e cila refuzon shkarkimin e Vesna Damevës nga detyra e kryetares së Këshillit Gjyqësor. Pas mbledhjes disaorëshe, këshilli ka vendosur se do të kërkojë seancë urgjente në Kuvend, por pa u dhënë detaje konkrete. Ekzistojnë dy mundësi se si Dameva të rikthehet në maje të këshillit, me dorëheqjen e kryetarit aktual ose me votimin e sërishëm të anëtarëve të këshillit që Dameva të jetë kryetare e këtij trupi. Përderisa këshilli shqyrtonte vendimin e Gjykatës Administrative, gjykata publikoi në faqen zyrtare vendimin në të cilin thuhet se shkarkimi i Damevës është i jashtëligjshëm dhe duhet të veprohet sipas detyrimeve ligjore dhe këtë vendim nuk ka të drejtën ta kontestojë askush.
 
“Damevës as që i janë thënë arsyet përse Këshilli Gjyqësor ka vënë në vlerësim besueshmërinë e saj, nuk i janë prezantuar fakte dhe dëshmi, nuk i është dhënë koha e duhur që të përgatitet dhe as që i është lejuar të prezantojë argumente, fakte dhe dëshmi me të cilat do t’i kundërvihej akuzave verbale.”, ka konstatuar Gjykata Administrative.
 
Vesna Dameva u zgjodh anëtare e Këshillit Gjyqësor në dhjetor të vitit 2019, me propozim të presidentit të shtetit, pasi që kryetarja e atëhershme, Pavlina Cërvenkovska, dha dorëheqje. Në dhjetor të vitit 2022 ajo u zgjodh kryetare e Këshillit Gjyqësor, ndërkaq në fund të prillit të vitit 2023 Dameva u shkarkua nga detyra pas grindjeve disaorëshe ku zëvendësi i saj i atëhershëm, Selim Ademi, kërkoi dorëheqjen e saj. Arsye për këtë ishte pasi një pjesë e anëtarëve të këshillit e fajësuan se ka fshehur letrën e dërguar nga ambasadorja amerikane, Angela Ageler. Në maj të vitit 2023 Dameva u ankua në Gjykatën Administrative për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj saj.
 
MERAL ISMAILI