Maqedoni

Ndotja e ajrit, Shkupi, kryeqyteti më i ndotur në Evropë

03.01.2024 15:19

Qytetarët e Shkupit vazhdojnë të thithin ajër të ndotur, i cili është i dëmshëm për shëndetin e tyre....

Qytetarët e Shkupit vazhdojnë të thithin ajër të ndotur, i cili është i dëmshëm për shëndetin e tyre. Edhe gjatë mëngjesit të sotëm, Shkupi ishte në krye të renditjes së qyteteve më të ndotura në botë, kurse e mori primatin e kryeqytetit më të ndotur në Evropë. 
 
Për shkak të ndotjes së ajrit, Ministria e Ambientit Jetësor kumtoi se hyjnë në fuqi rekomandimet dhe masat për prag të tejkaluar të alarmit të grimcave PM 10 në Shkup. 
 
“Të gjithë personat juridikë të lirojnë gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me astmë kronike, infarkt ose infarkt të mëparshëm të miokardit, pavarësisht moshës, me rekomandimin e mjekut të familjes. Të gjitha subjektet juridike të riorganizojnë orarin e tyre të punës dhe personat që punojnë jashtë të punojnë nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Të mos organizohen gara sportive dhe ngjarje të tjera kulturore në natyrë.”.
 
Ambientalistët thonë se shteti nuk ka strategji të qartë për përballje me ndotjen e ajrit. Çdo vit ndërmerren masa afatshkurta vetëm në dimër, ndërkohë që masat nuk tregojnë rezultate. 
 
“Të kishin dhënë rezultate ato masa, nuk do të ishim në kësisoj situate kritike. Nuk do të kishin ndërruar jetë gjithë ato persona për shkak të ndotjes së ajrit. Të dhënat më të fundit tregojnë se 5,600 vdesin çdo vit për shkak të ajrit të ndotur. Ai numër ishte 2,600, pastaj 4 mijë e tani është 5,600. Të gjitha këto masa janë aq të përkohshme, aq nuk kanë impakt, sa që unë mendoj se ata jepen vetëm sipërfaqësisht sa për të thënë se ne e kemi kryer punën tonë, është zgjidhur problem, ndërkohë që problemi nuk është zgjidhur.”, - theksoi eko-aktivisti, Gorjan Jovanovski. 
 
Ndërkohë analizat e Ministrisë së Ambientit tregojnë se shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes së ajrit janë amvisëritë. Ministrja Shukova apeloi qytetarët që së paku ata që ngrohen me dru, të djegin dru të thata e jo të njoma.
 
“Analizat janë publike, tregojnë se 45% e ndotjes shkaktohet nga amvisëritë. Gjithsesi se shkaktohet edhe nga institucionet publike të cilat nuk shfrytëzojnë sisteme ekologjike për ngrohje dhe atje intervenojmë. Për atë ju them, ky është një projekt ku në shtatëdhjetë institucione gjatë dy viteve të ardhshme do t’i ndërrojmë sistemet. Proceset nuk shkojnë aq shpejtë. Për çdo projekt të tillë duhet të keni së pari dokumentimin, duhet të keni prokurime dhe duhet ta ndryshoni sistemin.”, - u shpreh ministrja e Ambientit Jetësor, Kaja Shukova.
 
Ministria e Ambientit Jetësor nuk ka marrë informacion zyrtar nga komunat për masat e ndërmarra, por jo zyrtarisht Shukova ka konfirmuar se shumica e këshillave të komunave kanë miratuar pako të masave afatshkurtra që duhet të zbatohen gjatë muajve të dimrit.
 
ERSAN PAJAZITI