Ekonomi

Zona Zhvillimore Teknologjike: Kompania “EMAPTA” zgjeron biznesin

03.01.2024 15:55

Kompania “EMAPTA”, e cila një vit veç më është në tregun vendor...

Kompania “EMAPTA”, e cila një vit veç më është në tregun vendor, ka paralajmëruar zgjerimin e kapaciteteve në Maqedoninë e Veriut. Pritet që të ofrojë kuadër të kualifikuar në fushat e marketingut digjital, inxhinierisë softuerike, menaxhimit financiar, mjekësisë, kontabilitetit, ndërtimit, biznesit dhe mbështetjes administrative. Siç informojnë nga Zona Zhvillimore Teknologjike kjo kompani planifikon të hapë një zyrë prej 6,000 metrash katrorë dhe për një dekadë të punësojë rreth 10,000 punëtorë, ku çdo vit do të investojë mbi 15 milionë euro  vetëm për paga.
 
“Kompania “EMAPTA” mori përsipër që në pjesën e tyre të planit të japë mundësi për të punësuar 850 të rinj, të cilët do të jenë këtu, do të marrin rroga të mira, ndërsa do të punojnë për kompani globale. Një prej masave për të nxitur rritjen e pagave, është që kompania do të marrë ndihmë për çdo të punësuar në vlerë prej 3,250 euro, por  me kusht që rroga e punëtorëve të jetë minimum 1 mijë euro.”, - deklaroi drejtori i ZZhTI-së, Jovan Despotovski.
 
“Vitin e kaluar erdhëm në Maqedoni, si vendi i parë në Evropë ku po i zgjerojmë kapacitetet tona. Deri tani kemi 19 pjesëtarë të ekipit dhe kemi plan për rritjen e ekipeve tona në 1 mijë, 2 mijë deri në 10 mijë punëtorë për 10 deri 12 vite. Ajo që ne ofrojmë është punë me të gjitha bizneset në botë për t’i ndihmuar kompanitë që të punojnë me ekipe të mëdha dhe të shkëlqyeshme.”, - theksoi drejtoresha e “EMAPTAS” për Evropë, Inga Zvik.