Kameron: Britania, përkrahëse e Kosovës, Gërvalla: 90% e kosovarëve pro integrimit
Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës...

Britania e Madhe do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës, ka deklaruar në Prishtinë shefi i diplomacisë britanike, Dejvid Kameron, pas takimit me homologen kosovare, Donika Gërvalla. Britania është e interesuar që paqja të mbizotërojë në tërë Ballkanin Perëndimor, tha Kameron, duke shtuar se periudha aktuale në botë që po karakterizohet me konflikte të mëdha bën që Britania të jetë sa më përkrahëse ndaj miqve të saj.
“Jemi një përkrahës i madh i pavarësisë së Kosovës, sovranitetit tuaj dhe Kosova ka të drejtë që të njihet nga të tjerët si një vend i plotë sovran dhe anëtar i familjes së kombeve. Sigurisht do t’ju ndihmojmë në betejën për t'u njohur në forume ndërkombëtare, që është e rëndësishme dhe e meritoni. Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe. Është diçka tepër e rëndësishme për interesin tonë kombëtar.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, Dejvid Kameron.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se në Kosovë ekziston një konsensus gjithëshoqëror që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit.
“Që Kosova është pjesë e Perëndimit, për këtë nuk ka asnjë dilemë. Ekziston një konsensus i përgjithshëm shoqëror mbi 90 për qind për integrim në strukturat euroatlantike. Ballkani dhe Evropa, pra Perëndimi ka nevojë për një strategji të re, pasi ajo e vjetra është duke perënduar. Pyetja qendrore në shumë pjesë të botës, por sidomos këtu për shkak të gjeografisë në kuadër të NATO-s do të jetë se kush është me Perëndimin dhe kush jo.”, - theksoi ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Gërvalla e ka falënderuar homologun britanik, Kameron, për mbështetjen e vazhdueshme britanike para dhe pas luftës dhe rolin e Britanisë në ndaljen e gjenocidit të Serbisë në vitet e ’90-ta, si dhe për dërgimin e trupave shtesë pas sulmit të Kosovës nga Serbia më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Mitrovicës së Veriut.
Kameron gjatë qëndrimit në Prishtinë u prit edhe nga kryeministri, Albin Kurti dhe presidentja, Vjosa Osmani. (Gyltene Sinani, TVM2)
