Maqedoni

Ajri i ndotur dhe viruset, rritet numri i të sëmurëve nëpër spitale

04.01.2024 14:30

Ajri i ndotur ka rritur përhapjen e viruseve....

Ajri i ndotur ka rritur përhapjen e viruseve. Kjo periudhë është plot me vizita të pacientëve si në ambulancë, ashtu edhe në spitale. Mjekët thonë se ka një rritje të pacientëve me viruse respiratore dhe grip që janë me  temperaturë të lartë që zgjat disa ditë, kollitje dhe rrjedhje hundësh.
 
Në spitalin e fëmijëve në Kozle kontrollohen nga 200 pacientë në 24 orë. Më tepër hospitalizohen  fëmijët me bronkit dhe pneumoni. Mjekët pediatër apelojnë autoritetet që të marrin masa urgjente kundër ndotjes së ajrit. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe duhet të shmanget qëndrimi jashtë në ambiente të hapura.
 
“Gjithnjë e më shumë vijnë fëmijë me simptoma të kokëdhembjes. Fëmijët nuk i kanë ato simptoma të zakonshme sikur kur janë të sëmurë. Fëmijët që janë në shkollë thuajse të gjithë vijnë dhe thonë se na dhemb koka, kemi probleme me moskoncentrim të fëmijëve. Kjo është pasojë nga ndikimi i toksinave që gjinden në ajrin e ndotur  dhe jo aq nga viruset dhe ftohjet e zakonshme, pastaj kur bashkohen ajri i ndotur dhe gripet, atëherë kemi pasqyrë jo të mirë.”, - deklaroi pediatrja, Dragana Markovska.
 
E njëjta situatë është edhe në spitalin e Manastirit. Një pediatër kujdestar kontrollon 100 fëmijë të sëmurë. Mungesa e stafit e vështirëson seriozisht punën.
 
“Gjatë javës kemi 50 deri në 60 kontrolle, mundet edhe më tepër. Për festa kemi pasur deri në 100 kontrolle. Për një mjek kujdestar me ekip dy deri në tri infermierë është shumë për të kontrolluar gjithë këto pacientë. Mjekët amë nuk punojnë për festa, nuk ka shërbime kujdestare, nuk ka ambulanca siç ka funksionuar më parë, thjeshtë nuk ka staf, nuk ka pediatër. Ne aktualisht jemi 3 pediatër, kemi katër mjek që janë dërguar në specializim dhe deri sa të kthehen barra bie mbi ne.”, - theksoi pediatrja në Klinikën në Manastir, Elena Venjanovska.
 
Nuk mjaftojnë ata pak pediatër për të kontrolluar të gjithë fëmijët. Në dekadën e fundit ka rënë veçanërisht interesi për specializimin në këtë degë të mjekësisë, që zgjat shtatë vite.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI