Lugina e Preshevës, autoritetet e Serbisë anulojnë vizitën e Sveçlës
Autoritetet e Serbisë nuk ia kanë lejuar vizitën....

Autoritetet e Serbisë nuk ia kanë lejuar vizitën ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, që ishte paraparë të realizohej në Luginë të Preshevës, me ftesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Këtë e ka bërë të ditur vet Sveçla, i cili paraprakisht kishte kërkuar lejen e autoriteteve serbe për të vizituar Luginën.
“Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellë agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës. Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye shpjegim.”, thuhet në njoftimin e ministrit të Brendshëm kosovar, i cili këtë akt të Serbisë e ka vlerësuar si qasje destruktive, në kuadër të shtypjes së vazhdueshme ndaj shqiptarëve të Luginës.
“Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta.”, thekson Sveçla, duke shtuar se për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, autoritetet kosovare do të veprojnë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve.
Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në Preshevë, Bujanoc, e Medvegjë, si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. (Gyltene Sinani, TVM2)
