Maqedoni

Shkupi, ndër qytetet më të ndotur në botë, komunat deklarohen të pafuqishme

04.01.2024 15:18

Qyteti i Shkupit vazhdon për të disa ditë me radhë të jetë pjesë e qyteteve më të ndotura në botë...

Qyteti i Shkupit vazhdon për të disa ditë me radhë të jetë pjesë e qyteteve më të ndotura në botë. Sipas përqendrimit të grimcave PM në matjet e fundit tregojnë se banorët e Shkupit thithin ajrin më të ndotur në Evropë, ndërsa kryeqyteti është në vendin e 18-të në botë, tregojnë të dhënat e “IQAIR”. Pikërisht në këtë drejtim nuk rekomandohet qëndrimi në natyrë për personat me shëndet të ndjeshëm. Edhe pse kjo gjendje vazhdon të mbetet e rëndë për javë të tëra, shteti dhe komunat nuk kanë një strategji për tejkalimin e këtij problem. Sipas kryetarit të komunës së Çairit, Visar Ganiu, komunat si të vetme janë të pafuqishme në këtë drejtim, prandaj është e nevojshme hartimi i një megaprojekt i pushtetit qendror.
 
“Së pari ne si komunë nuk jemi duke shfrytëzuar vetura të cilat janë në derivate, por kemi 4 vetura me energji elektrike dhe një motoçikletë elektronike. Po ashtu kemi investuar shumë në panelet fotovoltaike, kemi 140 mijë metër hapësirë gjelbëruese. Gjithçka që është nën kompetencat tona, ato masa i kemi ndërmarrë, këtë ndotje duhet ta luftojmë përmes ndonjë makro-projekti të madh, ku do të përfshihen të gjitha komunat, sepse veç e veç, asnjë komunë nuk do të mund ta luftojë këtë dukuri. Duhet bartës i këtij projekti të jetë Qeveria e vendit dhe jo ndonjëra prej komunave.”, - deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu. 
 
Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor konsideron se 45 për qind të ndotjes e shkaktojnë amvisëritë, të cilat gjatë kohës së dimrit, shfrytëzojnë preparate të ndryshme për ngrohje. Kryetari i Komunës së Qendrës, Goran Gerasimov, thotë se problemi është i të gjithëve dhe si i tillë duhet të tejkalohet.
 
“Pjesa më e madhe apo rreth 45 për qind e ndotësve janë amvisëritë, por fati i mirë në komunën tonë është se shumica e amvisërive ngrohen ose me energji elektrike ose janë të lidhur në ngrohtoren qendrore. Por kemi disa vendbanime të cilat ngrohen me përdorimin e drunjve, por në bashkëpunim me Inspektoratin e Mjedisit Hapësinor keni konstatuar se kontrollet duhet të shtohen me qëllim që këto vendbanime të mos djegin goma dhe plastika.”, - theksoi kryetari i komunës së Qendrës, Goran Gerasimov. 
 
Edhe kryetari i komunës së Kisela Vodës, Orce Gjorgjievski, është i mendimit se duhet të ndërtohet një strategji nacionale, ku bartësit duhet të jenë pushteti qendror dhe Qyteti i Shkupit.   
 
“Kemi ndërmarrë disa masa për banorët e komunës tonë, por kanë ndihmuar edhe subvencionet e mënyrës së ngrohjes. Planin e Efikasitetit Energjetik e kemi realizuar në të gjitha objektet publike, të njëjtën po e paraqesim edhe tek amvisëritë, por për problemin e ndotjes duhet të ndërtohet një strategji nacionale, ku Ministria e Ambientit është si më e thirrur, pastaj Qyteti i Shkupit. Në këtë drejtim po them se përveç demagogjisë politike të cilën e përdor pushteti qendror, asgjë konkrete nuk kemi.”, - u shpreh kryetari i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski.
 
Komunat në kuadër të Qytetit të Shkupit, po ashtu janë dakorduar që të dërgohet një kërkesë zyrtare deri tek Qyteti i Shkupit, ku është kërkuar që të realizohet një takim me të gjithë palët që i takon problemi i ndotjes dhe bashkërisht të marrin vendime se si të veprohet në vazhdim. Ndërsa ditë më parë ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, tha se zëvendësimi i sistemeve të ngrohjes me ato ekologjike është një masë afatgjatë, por edhe një proces afatgjatë. 
 
FITIM KRYEZIU