Qeveria në Gaza: Izraeli goditi Rripin e Gazës me 65 mijë tonë eksploziv
Ushtria izraelite ka përdorur eksploziv....

Ushtria izraelite ka përdorur eksploziv (shpërthyes) që tejkalon 65 mijë tonë, përfshirë bomba të ndaluara ndërkombëtarisht në sulmet që vazhdon prej rreth 3 muajsh ndaj Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e qeverisë në Gaza thuhet se “Avionët luftarakë të shtetit pushtues (Izraelit) kanë lëshuar mbi 45 mijë raketa dhe bomba gjatë luftës gjithëpërfshirëse gjenocidale kundër Rripit të Gazës. Disa prej tyre peshonin një ton shpërthyes dhe shteti pushtues me këto ka bombarduar qëllimisht zonat e vendbanimeve”.
Më tej në deklaratë tërhiqet vëmendja se ka tejkaluar 65 mijë tonë pesha e shpërthyesve që ushtria izraelite ka përdorur në sulmet ndaj Gazës. “Pesha e shpërthyesve që ushtria pushtuese ka hedhur në Rripin e Gazës ka tejkaluar 65 mijë tonë. Kjo është më shumë se pesha dhe fuqia e tre bombave bërthamore si ato të hedhura në Hiroshima të Japonisë”, thuhet në deklaratë.
Afërsisht dy të tretat e bombave dhe raketave të hedhura nga avionë luftarakë izraelitë në qytetet e Rripit të Gazës përbëheshin nga bomba të pa udhëzuara dhe të gabueshme ose shpërthyes (eksplozivë) të njohur si “bomba memece”, thuhet në deklaratën ku nënvizohet se përdorimi i këtyre bombave është dëshmi se Izraeli ka vrarë pa dallim dhe në mënyrë të padrejtë dhe se kjo është shkelje e hapur dhe e qartë e ligjit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare.
Pasi tërhiqet vëmendja se është dokumentuar që Izraeli ka përdorur rreth 9 lloje të bombave dhe raketave të ndaluara ndërkombëtarisht kundër civilëve, fëmijëve dhe grave, në deklaratë theksohet se këto janë llojet e depërtimit të objektivit (BLU-113), (BLU-109), (SDBS) dhe të tipit amerikan (GBU-28) si dhe për të shkatërruar infrastrukturën raketa të udhëzuara me GPS, me fosfor të bardhë dhe të pa udhëzuara, inteligjente dhe së fundmi raketa të llojit Halper.
Lidhur me përdorimin e bombave të ndaluara ndërkombëtarisht, në deklaratë bëhet e ditur se bombat në fjalë “krahas rreziqeve mjedisore që vijnë nga lëshimi i rrezatimit toksik, shkaktojnë dëme të përhershme si deformim dhe paaftësi tek të plagosurit si dhe viktima të shumta dhe plagosje brenda sekondave”.
Në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit dhe organizatave ndërkombëtare që të “ndalojnë luftën gjithëpërfshirëse gjenocidale të Izraelit kundër civilëve, fëmijëve dhe grave gjatë sulmeve të tij që vazhdojnë prej 89 ditësh”.
