Ekonomi
Realizimi i buxhetit për 2023-shin, Besimi: U arrit rregulla e artë fiskale
04.01.2024 15:47
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, vlerëson se planifikimi i buxhetit të vitit 2023....

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, vlerëson se planifikimi i buxhetit të vitit 2023 është realizuar sipas pritshmërive. Vitin 2023 e karakterizon realizimi i investimeve kapitale, decentralizmi fiskal, ulja e deficitit buxhetor, si dhe ulja e borxhit të jashtëm. Në buxhetin e vitit 2024, mjetet për paga janë parashikuar 10% më shumë se në vitin 2023 për pagesën e pagave për punonjësit ekzistues në sektorin publik. Qëllimi, sipas Besimit, është që të sigurohet rritje konstante e pagave, në mënyrë që të ketë një administratë që do të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët dhe kompanitë.
“Buxheti i vitit 2023 është realizuar në kuadër të planit, si në aspekt të të hyrave, ashtu dhe në të dalave, gjegjësisht të hyrat janë në nivel 98,3 për qind dhe të dalat 98,1 për qind të planit dhe kjo ka mundësuar që deficiti buxhetor të jetë më i ulët nga 4,8 në 4,6 për qind të BPV-së. Investimet kapitale arrijnë në 707 milionë euro apo 52 për qind më të larta se viti 2022 dhe realizim rekord prej 98 për qind të planit dhe këtu arrihet rregulla e artë fiskale, ku investimet kapitale janë më të larta se deficiti buxhetor. Vazhdon përkrahja e ekonomisë me 5,2 miliardë denarë për këtë vit. Vazhdon decentralizimi fiskalen për vitin 2023, ku ka rritje prej 27,7 miliardë denarë apo 19 për qind nga viti 2022.”, - deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
DAP: Bie numri i të punësuarve në administratë
Drejtoresha e të ardhurave publike thotë se në vend ka trend të uljes së të punësuarve.
“Për nëntor llogaritë përfundimtare të pranuara dhe të paguara për 60,400 punëdhënës janë 535,636 të punësuar. Për muajin tetor kishte 63,004 punëdhënës për 541,796 të punësuar. Për muajin shtator kemi 62,029 punëdhënës për 541,467 të punësuar.”, - theksoi drejtoresha e DAP-it, Sonja Llukarevska.
Sa i përket punësimeve të shpallura në administratë, Besimi pohon se institucionet nuk guxojnë të punësojnë nëse nuk plotësohet një vend i lirë për shkak të pensionimit apo daljeve të tjera të personelit. Ka një dalje të vazhdueshme të punonjësve. Numri i punonjësve në administratë zvogëlohet nga viti në vit. Të dhënat tregojnë se nga 87,028 punonjës në vitin 2021, numri i të punësuarve në vitin 2023 është 84,200. Që do të thotë se kemi një trend të uljes së numrit të të punësuarve, thotë Besimi.
GAZMEND REXHEPI
