Maqedoni
Pajisja me dokumentet e reja personale, grumbuj njerëzish presin me orë të tëra
04.01.2024 16:00
Grumbulli i njerëzve që po shihni janë qytetarët të cilët po presin për t’u pajisur me dokumente personale...

Grumbulli i njerëzve që po shihni janë qytetarët të cilët po presin për t’u pajisur me dokumente personale me emrin e ri kushtetues të vendit. Disa presin me orë të tëra. Ata thonë se për ta ky është një maltretim i dyfishtë, pasi njëherë kanë pritur me orë të tëra për t’u fotografuar, ndërsa tani duhet të presin me orë të tëra edhe për t’u pajisur me dokumentet e tyre personale.
Me fëmijë e foshnja me vete, gra e pleq presin në rend për t’i marrë pasaportat apo letërnjoftimet e reja. Disa prej tyre mezi qëndrojnë në këmbë, e disa të tjerë kanë ardhur edhe prej jashtë vendit vetëm për të kryer punë.
“Ky është maltretim! Me fëmijë po presim nga tre-katër orë. Unë nuk e di kur ndodhemi, në shekullin 15 apo shekullin 21?! Duhet më shpejtë t’i kalojnë apo le t’i dorëzojnë nëpër komuna dokumentet.”, - u shpreh një qytetar.
“Ka një orë që nuk e hapin derën. Për një orë lëshojnë nga dhjetë persona. Për t’u fotografuar kam pritur gjashtë orë, kurse për t’i marrë tani siç duket do të kalojnë katër orë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Edhe t’i dorëzosh duhet të presim edhe për t’i marrë duhet të presim. Nuk e di se çfarë është kjo punë. Unë jetoj jashtë, kam ardhur dy javë për pushime, por i gjithë pushimi më ka shkuar duke pritur për dokumente. Kjo s’është normale.”, - tha një qytetar.
“Është shumë ftohtë, nuk mund të qëndroj në këmbë më, po pres gati dy orë.”, - tha një qytetar tjetër.
Nga MPB-ja ende nuk kanë përgjigje për ankesat e qytetarëve në lidhje me radhët e gjata. Për TVM2 thonë se po bëjnë gjithçka që çdo qytetar të marrë dokumentet në kohën e duhur.
“Ju informojmë se Ministria e Brendshme shfrytëzon të gjitha lehtësimet për marrjen e dokumenteve personale nga qytetarët. Krahas punës së rregullt me termin, kemi bërë të mundur edhe fotografimin për dokumente personale pa termin në Stacionin Policor “Prolet”. Sa i përket marrjes së dokumenteve tashmë të kompletuara, sportelet funksionojnë edhe në fundjavë dhe këtë e bëjmë të ditur përmes mediave në mënyrë që qytetarët të informohen se kur dhe ku mund të marrin dokumentet.”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
ERSAN PAJAZITI
