Botë
Gazë, po shtohet frika për zgjerimin e konfliktit
04.01.2024 16:26
Shqetësime për zgjerim të mundshëm të konfliktit izraelito-palestinez...

Shqetësime për zgjerim të mundshëm të konfliktit izraelito-palestinez, pas vrasjes së nënkryetarit të Hamasit, Saleh Al-Aruri. Nga ana tjetër, Irani ka kërcënuar me një përgjigje "të shpejtë dhe të fortë" ndaj dy bombave që vranë më shumë se 100 njerëz gjatë mbledhjes komemorative për gjeneralin e shquar iranian, Sulejmani, i cili u vra nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2020. Edhe pse askush nuk e mori përgjegjësinë, presidenti iranian e drejtoi gishtin drejt Izraelit.
“Unë paralajmëroj regjimin sionist për këtë krim dhe krimet e tjera që po bëni, ju do të paguani një çmim që do t’ju bëjë të pendoheni shumë.”, - deklaroi presidenti i Iranit, Ibrahim Raisi.
Uashingtoni tha se nuk ka arsye për t’u besuar se Izraeli ishte i përfshirë. Sekretari i shtetit, Blinken, sërish në vizitë në Lindjen e Mesme, pasi kërcënimi i përhapjes së konfliktit bëhet gjithnjë e më i sigurt.
“Ne nuk kemi asnjë arsye të besojmë se Izraeli ishte i përfshirë në këtë shpërthim. Ne jemi të shqetësuar për rrezikun e përhapjes së konfliktit. Sekretari po angazhohet në diplomaci më intensive në një përpjekje për të mos eskaluar situata.", - theksoi zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Metju Miler.
Në të njëjtën kohë, Izraeli po hakmerret ndaj sulmeve të shpeshta të Hezbollahut nga Libani.
"Kushdo që mendon të shkojë në luftë kundër nesh, thjesht do të pendohet. Deri më tani, ne kemi qenë të vëmendshëm ndaj situatës në Liban dhe interesave kombëtare libaneze, kështu që nëse bëhet një luftë kundër Libanit, atëherë ne jemi të detyruar të luftojmë deri në fund pa asnjë kufizim.”, - u shpreh lideri i Hezbollahut, Saijed Hasan Nasrallah.
Luftimet e ashpra vazhdojnë në Gazën qendrore dhe jugore. Izraeli me një metodologji të re në pushtimin e qytetit të dytë më të madh, Kan Junis.
"Ne po përdorim mjete të klasifikuara dhe të reja në këtë operacion që do ta bëjmë tërësisht deri ne fund, derisa të arrijmë në të gjitha vendet që duhet të shkojmë. Kjo është një luftë kundër terroristëve - nën tokë dhe mbi tokë. Ne do të vazhdojmë të zgjerojmë këtë operacion.”, - theksoi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari.
Kreu evropian i diplomacisë, Borrell, paralajmëroi se e gjithë Lindja e Mesme mund të përfundojë në flakë. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të imponojë një zgjidhje për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit, pasi të dyja palët nuk mund të arrijnë një marrëveshje.
BELINDA KOKA ADEMI
