Botë
Agresioni rus në Ukrainë, lirohet numri më i madh i pengjeve Takohen ambasadorët e NATO-s dhe Ukrainës
04.01.2024 16:50
Derisa në fushë po zhvillohen edhe më tej luftime të ashpra mes forcave ruse dhe ukrainase....

Derisa në fushë po zhvillohen edhe më tej luftime të ashpra mes forcave ruse dhe ukrainase, ato kanë këmbyer qindra ushtarë të marrë peng gjatë konfliktit. Kievi thotë se nuk ka plan B në mungesë të ndihmës ushtarake nga Perëndimi, ndërsa Shtëpia e Bardhë vazhdon me fushatën për mbështetjen e Ukrainës.
“Të gjithë e patë se Rusia vazhdoi me sulmet, jo vetëm në caqet ushtarake, por edhe në ato civile. Putini po bën gjithçka që t’i rrëzojë ukrainasit në gjunjë. Për këtë arsye është e rëndësishme që kjo kërkesë të cilën e bëri kryetari për financim të miratohet.”, - deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kirbi.
Ambasadorët e NATO-s dhe Ukrainës do të zhvillojnë takim special gjatë javës së ardhshme pasi që Kievi bën thirrje për mbrojtje ajrore pas sulmeve të intensifikuara ruse. Zëdhënësi i NATO-s theksoi se aleatët e NATO-s kanë dorëzuar tashmë një gamë të gjerë sistemesh të mbrojtjes ajrore në Ukrainë dhe janë të përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes së Ukrainës, raportojnë mediat britaneze. Gjatë Vitit të Ri, Moska nisi sulmet më të mëdha me raketa dhe dron kundër Ukrainës që nga fillimi i konfliktit në shkurt të vitit 2022. Të paktën 32 persona vdiqën në sulmin më vdekjeprurës të Kievit më 29 dhjetor.
LEUNORA KALIQI
