Botë

Politikani serb kërkoi falje për krimet serbe, Sanduloviqi u rrah dhe u dërgua në burg

05.01.2024 14:00

Pasi ishte rrahur brutalisht nga policia sekrete serbe, politikanin opozitar serb, Nikolla Sanduloviq...

Pasi ishte rrahur brutalisht nga policia sekrete serbe, politikanin opozitar serb, Nikolla Sanduloviq, i njohur për homazhet e tij te varri i Adem Jasharit në Prekaz dhe për kërkim-falje në emër të serbëve për krimet e luftës në Kosovë, në gjendje të rëndë shëndetësore, nga Qendra Emergjente në Spitalin e Beogradit është dërguar në burg. Çedomir Stojkoviq, avokati i Sanduloviqit, ka theksuar se Sanduloviqi po transferohet në burg kur “jeta e tij është në rrezik”. 
 
“Ata po e largojnë, sepse Nikolla vendosi lule në varret e shqiptarëve. Është akuzë zyrtare dhe formale ndaj tij. Më lejoni të përsëris, akuza zyrtare ndaj tij është se ka përhapur urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varret e shqiptarëve duke kërkuar falje nga shqiptarët për krimet e kryera.”, ka shkruar ai në platformën X. 
 
Sanduloviqi ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë e njohur si BIA. Familjarët e kryetarit të Partisë Republikane Serbe, Nikolla Sandulloviq, kanë thënë se ai është rrahur brutalisht nga policia sekrete serbe, në godinën e BIA-s. Në mesin e personave, të maskuar, që e kanë rrahur, Sanduloviqi ka thënë se e ka njohur Millan Radojçiqin, organizator i sulmit terrorist në Banjskë të Veriut të Kosovës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka dënuar ashpër dhunën që është ushtruar ndaj politikanit, Nikolla Sanduloviq. Konjufca, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime ndaj Serbisë. 
 
“E dënoj në mënyrën më të ashpër aktin e shëmtuar të dhunës brutale në Serbi ndaj politikanit Nikolla Sanduloviq.”, shkroi Konjufca. Dhunën ndaj Sanduloviqit e kanë dënuar edhe zyrtarë tjerë të Republikës së Kosovës. 
 
GYLTENE SINANI