Botë
Vazhdojnë luftimet e ashpra në Gaza, rriten tensionet në Lindjen e Mesme
05.01.2024 15:05
Konflikti në Rripin e Gazës dhe rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme...

Konflikti në Rripin e Gazës dhe rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme, po përhapë frikën për një konflikt akoma më të ashpër dhe më të gjerë. Luftimet në Gaza vazhdojnë të shpërthejnë. Ndërkohë, udhëheqësi i një grupi të armatosur pro-iranian që mori pjesë në sulmet ndaj forcave amerikane, u vra në qendër të Bagdadit në një sulm ajror amerikan.
“Forcat amerikane morën veprime të menjëhershme dhe proporcionale kundër liderit të Harakat Al-Nujaba, i cili ishte i përfshirë në mënyrë aktive në planifikimin dhe kryerjen e sulmeve kundër personelit amerikan. Është e rëndësishme të theksohet se sulmi u ndërmor në vetëmbrojtje dhe asnjë civil nuk u lëndua.”, - deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder.
Sulmi vjen në një kohë të tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme, të nxitura nga lufta midis Izraelit dhe Hamasit. Sekretari amerikan i shtetit, Blinken, vizitoi rajonin në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e konfliktit.
“Sekretari do të diskutojë hapat konkretë që palët mund të marrin dhe se si mund të përdorin ndikimin e tyre mbi të tjerët në rajon për të shmangur përshkallëzimin. Nuk është në interesin e askujt, as Izraelit, as rajonit, e as botës.”, - theksoi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Metju Miller.
Ndërkohë luftimet vazhdojnë në enklavën palestineze. Ushtria izraelite po shkatërron lokacionet e lëshimit të raketave në jug të Kan Junis, kurse ka bastisur edhe bazën e Hamasit.
“Baza e Hamasit përfshin një rrjet të gjerë nëntokësor të lidhur me një strukturë nëntokësore të prodhimit të armëve që është përdorur prej vitesh për të kryer operacione terroriste kundër Izraelit. Shkatërrimi dhe zvogëlimi i aftësisë së Hamasit vazhdon të jetë një nga qëllimet tona.", - theksoi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes Izraelite, Daniel Hagari.
Në kushtet e furnizimeve të pakta dhe luftimeve të ashpra, familjet e zhvendosura nuk e dinë se si do ta sigurojnë vaktin e radhës. Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë për investime në ndihma humanitare.
“Unë jam nënë e gjashtë vajzave dhe ndoshta kjo e bën të vështirë për mua të gjej ushqim dhe madje edhe ujë. Por, nuk ka as dru zjarri. Edhe barnat që duhet të merrni është pothuajse e pamundur.”, - theksoi qytetarja e zhvendosur nga Beit Hanoun, Majeda Abu Jarad.
Sipas të dhënave të OKB-së, një e katërta e popullsisë në Gaza po vdes nga uria, shumica e spitaleve nuk funksionojnë dhe pothuajse 85% e popullsisë është detyruar të largohet nga shtëpitë e tyre, për shkak të luftimeve.
BELINDA KOKA ADEMI
