Maqedoni

Kompletimi i KShZ-së, LEN-i bojkoton punimet e Kuvendit

05.01.2024 15:23

Fronti opozitar Lidhja Evropiane për Ndryshim do të bojkotojë punën e Kuvendit...

Fronti opozitar Lidhja Evropiane për Ndryshim do të bojkotojë punën e Kuvendit deri sa në rend dite të vijë propozimi i tyre për anëtarë të KShZ-së. Ata fajësojnë kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi dhe BDI-në, se me çdo kush shpikin pengesa që të krijojnë parakushte për manipulimin e procesit zgjedhor në mënyrë që të zbusin humbjen, thonë nga opozita shqiptare. Bojkoti është vetëm hapi i parë i opozitës.
 
“Prej sot grupi parlamentar i LEN-it nuk do të marrë pjesë në punën e Kuvendit gjithnjë deri sa kandidati ynë për KShZ, Abdush Demiri, nuk do të vihet në rend dite në seancë plenare. Ky është vetëm hapi jonë i parë. Nëse edhe pas kësaj kjo shumicë edhe kryetari i Kuvendit vazhdojnë ta sabotojnë të drejtën tonë për anëtarë të KShZ-së, ne do të jemi të detyruar t’i ashpërsojmë masat e kundërshtimit. Se a do t’i bllokojmë vendvotimet në Çair dhe në Tetovë apo do të ketë edhe ndonjë masë edhe më radikale, këtë do ta shqyrtojmë brenda koalicionit.”, - theksoi deputetja e Alternativës, Safije Sadiku Shahini.
 
Blloku opozitar shqiptar pret që edhe VMRO-DPMNE-ja t’i qëndrojë besnike deklarimit se do ta braktisnin KShZ-në, nëse ata nuk përfaqësohen në KShZ. Nga VMRO-ja mbeten në qëndrimin që të tërhiqen nga KShZ-ja pasi konsiderojnë se pushteti dëshiron të nisë procesin zgjedhor me shumë mangësi. Nga LSDM-ja kërkojnë nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, që kaosin në KShZ ta zgjidhë në takim liderësh. Por, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, gjatë fundvitit pati deklaruar se ka kohë të mjaftueshme që të shpallet konkurs i ri në afat prej 8 ditëve ose KShZ-ja të funksionojë edhe në këtë format. 
 
MERAL ISMAILI