Maqedoni
Për studentët e vitit të tretë dhe të katërt, qeveria ndan 12 mijë vauçerë për tabletë
27.03.2015 15:23
Ministria e Shoqërisë Informatike hapi konkurs për paraqitjen e kompanive IT në projektin “Tablet për çdo student”...

Prej sot, të gjitha kompanitë të cilat dëshirojnë të marrin pjesë në këtë projekt duhet t’i dorëzojnë ofertat e tyre promovuese në Ministrinë e Shoqërisë Informatike.
Këtë vit do të shpërndahen 12 mijë vauçerë me shumë prej 8 mijë denarëve. Ndërsa prej ditës së nesërme të gjithë studentët do të mund të aplikojnë për të marrë tablet.
“Ne si qeveri kemi konstatuar se vauçerët që u japim studentëve prej 8 mijë denarëve është ofertë më e mirë se sa ajo që ishte kërkuar vitin e kaluar. Me këtë projekt qeveritar mundemi atyre t’u ofrojmë 12 mijë vauçerë, kjo do të thotë se 3/4 e tregut që e pati biznesi privat vitin e kaluar, ne do ta realizojmë për vetëm 2 ose 3 muaj”- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski.
“Studentët do të kenë mundësi më të mëdha për përzgjedhje. Tanimë nuk duhet të përzgjedhin vetëm tabletët e kategorisë më të thjeshtë dhe më të lirë, por do të kenë mundësi të marrin tableta të klasit të lartë, sepse vauçerët prej 8 mijë denarëve i përshijnë të gjitha kategoritë e tabletëve duke filluar prej ASUS, REJSER, LENOVO dhe SAMSUNG etj”- tha Dejan Kimovski nga “Set kompjuter”.
Kushti i vetëm për marrjen e këtyre vauçerëve është që studentët të kenë regjistruar vitin e tretë ose të katërt në universitet dhe të mos kenë të ardhura bruto prej mbi 32 mijë denarëve në familjen e tyre.
Për realizimin e këtij projekti qeveria ndau rreth 96 milion denarë, ndërsa, sipas informatave, vauçerët e studentëve do të shpërndahen në qershor të këtij viti.
REXHEP QAMILI
