Maqedoni
Rasti në M-NAV, gjykata nuk cakton paraburgim për të dyshuarit
06.01.2024 17:20
Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup...

Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka vendosur masa sigurie për katër personar lidhur me incidentin që ndodhi në ndërmarrjen e fluturimeve civile M-NAV.
“Gjykata ka marrë vendime me të cilat ndaj të katër personave vendoset masa e sigurimit. Në bazë të nenit 146 paragrafit 1 të Kodit të Procedurës Penale, të dyshuarve u nënshtrohen: Ndalimi i daljes nga vendbanimi, përkatësisht vendqëndrimi, detyrimi për t'u paraqitur para zyrtarit të caktuar në gjykatë, konfiskimi i dokumentit të udhëtimit, dhe ndalimi i komunikimit me të dëmtuarin”, thuhet në deklaratën e Gjykatës Penale.
Ndaj këtij vendimi Prokuria Publike ka paralajmëruar ankesë, pasi që vlerëson se të arrestuarit mund të arratisen, mund të ndikojnë te dëshmitarët ose mund ta përsërisnin veprën. Ndërkohë ndaj rastit në fjalë reagojnë nga VMRO-DPMNE dhe Lëvizja Besa.
“Një nga vendimet e para pas marrjes në dorëzim të institucioneve dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme do të jetë përgjegjësia para ligjit, pa përjashtim, e të gjithë të përfshirëve në këtë skandal të rëndë ndërkombëtar”, u shpreh Naqe Çulev nga VMRO-DPMNE.
“I bëjmë thirrje BDI-së që urgjentisht ta shkarkojë Bekim Nezirin nga çdo pozitë partiake dhe të kërkojë largimin e tij nga pozita e këshilltarit të drejtorit në M-NAV. Po ashtu urgjentisht të kërkojë edhe shkarkimin e dy drejtorëve tjerë, Fahrudin Hamidi dhe Hasim Deari”, theksoi Lulzime Ameti nga LËVIZJA BESA.
Nga ana tjetër nga BDI janë distancuar nga incidenti, duke bërë thirrje që ky rast mos ti mveshet kësaj partie.
“Incidenti që tentohet ti mvishet padrejtësisht BDI-së, është rezultat i marrëdhënieve të cënuara dhe rënduara midis kolegëve në një mjedis pune dhe nuk ka asnjë lidhje të vetme me çështje politike e aq më pak me BDI-në. Bëhet fjalë për mosmarrëveshje midis kolegëve dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të përfshihen padrejtësisht politikat e partisë.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Edhe ASh dënon ngjarjet në M-Nav.
“Kërkojmë nga autoritetet përgjegjëse që të rrisin nivelin e sigurisë në objektet dhe institucionet e këtilla, ndërsa të hetohet edhe mënyra se si sulmuesit pa autorizim kanë arritur të futen në kullën e kontrollit.” thuhet në deklaratën e ASh-së.
Për incidentin në fjalë Qeveria ka paralajmëruar shkarkimin e bordit drejtues të M-Nav dhe se do të fillojnë hetime për punën e deritanishme në këtë ndërmarrje.
ERSAN PAJAZITI
