Botë
Britania goditet nga përmbytjet, shpallet gjendje e jahtëzakonshme
06.01.2024 18:04
Britania është goditur nga përmbytje të mëdha pasi shiu i madh shkaktoi daljen e lumenjve...

Britania është goditur nga përmbytje të mëdha pasi shiu i madh shkaktoi daljen e lumenjve nga shtrati. Përmbytjet kanë ndërprerë shërbimin e trenave dhe zyrtarët kanë paralajmëruar se ujërat mund të rriten në ditët në vijim.
“Prisja përmbytje, por jo kaq shumë. Jam i shqetësuar se sa të larta janë nivelet e lumenjve. Pyes veten nëse me të vërtetë duhet të lëviz disa gjëra të tjera atje lart”, u shpreh banorja e Kolingemit, Erika Alen.
Stuhia që solli erëra të forta la dje nën ujë më shumë se 1000 shtëpi dhe biznese, thanë autoritetet. Ndërtesat dhe makinat u zhytën pasi rrugët u kthyen në lumenj. Edhe tokat bujqësore u përmbytën.
“Është thjesht e tmerrshme. Jemi të mërzitur, të zemëruar dhe të frikësuar. Ne kemi frikë të zbulojmë se çfarë duhet të bëjmë për të rivendosur gjithçka në rregull”, theksoi banori i Kolingenim, Xhek Lloton.
Mes lumenjve të dalur nga shtrati është edhe lumi Trent në Anglinë qendrore. Për këtë arsye autoritetet lokale kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Kryeministri britanik Rishi Sunak vizitoi zonat e përmbytura.
“Bisedova me njerëzit që ishin prekur se sa shkatërrues ishte ndikimi i përmbytjeve. Ne vetëm duam që njerëzit të sigurohen që agjencia e mjedisit të ketë njerëz në terren në të gjitha zonat e prekura”, u shpreh kryeministri britanik Rishi Sunak.
Shërbimi Zjarrfikës i Londrës tha mbrëmë se iu desh të shoqëronte rreth 50 persona për të siguruar sigurinë pas vërshimit të një kanalizimi në lindje të kryeqytetit. Agjencia e Mjedisit paralajmëroi se ndikimi i përmbytjeve mund të zgjasë edhe pesë ditë të tjera. Stuhia e ditëve të fundit shkaktoi përmbytje në pjesë të tjera të Evropës.
ERSAN PAJAZITI
