Maqedoni
Kongresi i BDI-së, raport mbi punën dhe debat për zhvillimet aktuale
27.03.2015 16:09
Integrimet euroatlantike, fqinjësia e mirë, demokracia konsensuale, zhvillimi ekonomik dhe mundësitë e barabarta...

Integrimet euroatlantike, fqinjësia e mirë, demokracia konsensuale, zhvillimi ekonomik dhe mundësitë e barabarta do të jenë temat të cilat do t’i trajtojë kongresi dyditorë i BDI-së.
Sipas sekretarit të përgjithshëm, Abdylaqim Ademit, theks i veçantë do t’i kushtohet edhe orientimit politik të partisë dhe raportit për punën e deritanishme, duke mos i shmangur edhe zhvillimet aktuale politike në vend.
“Qëllimi i kongresit, përveç tjerash, është që në njëfarë mënyre të bëjë raportin e punës së deritanishme të BDI-së, por theks i veçantë do t’i vendoset vizionit dhe orientimeve politike të BDI-së. Përveç vizionit do të flitet edhe për situatën aktuale, por edhe për përgjegjësitë e BDI-së dhe të funksionarëve të saj dhe njëra nga pjesët e dokumentacionit final sigurisht që do të jetë edhe rreth marrjes së përgjegjësive dhe kërkimit të përgjegjësisë për institucionet, por edhe për bartësit e funksioneve në Maqedoni, këtu nuk dua të dalloj ose të bëjmë ndarjen mes funksionarëve shqiptarë dhe maqedonas, por secili që është përgjegjës duhet të mbajë përgjegjësinë e tij”- deklaroi sekretar-gjenerali i BDI-së, Abdylaqim Ademi.
Ademi paralajmëroi pjesëmarrjen edhe të panelistëve ndërkombëtarë, njohës të mirë të rrethanave të rajonit dhe Maqedonisë, të cilët, sipas tij, me diskutimet do të japin kontributin e tyre jo vetëm për partinë, por në përgjithësi për zhvillimet që janë me interes për vendin.
NAIM RAMADANI
