Maqedoni

Zyberi për përgjimet: BE nuk legjitimon procesin pa marrëveshje politike

27.03.2015 16:11

Analistët politik nuk presin ndonjë zgjidhje të shpejtë të krizës politike në vend, aq më tepër kur kryeministri, Nikolla Gruevski...

Analistët politik nuk presin ndonjë zgjidhje të shpejtë të krizës politike në vend, aq më tepër kur kryeministri, Nikolla Gruevski, një ditë më parë tha se plani i qeverisë për zgjidhjen e ngërçit politik është përballja e shkelësve të ligjit me drejtësinë.
 
Sipas analistit, Naser Zyberi, kryeministri mban këtë qëndrim pasi është i bindur se zgjidhja juridike e krizës do të jetë në favor të tij nëse procesi zhvillohet në periudhën kur ai e ka nën kontroll edhe pushtetin gjyqësor.   
 
“Në situatë kur ai tërësisht e ka nën kontroll sistemin gjyqësor, prokurorinë, hetuesinë, pra ai ndjehet më komod, më i rehatshëm dhe e din që atë proces do ta fiton pa diskutim. Dhe, në këtë mënyrë pretendon se do ta mbyll rastin. Por, mendoj se vlerësimet janë të gabuara, sepse kriza është më tepër politike sesa juridike, dhe mendoj që pa një marrëveshje politike për tejkalim të krizës nuk mund të fillojë procesi në institucionet e gjyqësorit”- deklaroi analisti, Naser Zyberi.
 
Një plan i tillë nuk do të ketë as mbështetjen e Brukselit, thotë Zyberi. Sipas tij, Brukseli do të mbështeste procedimin juridik të përgjimeve vetëm pas një marrëveshje politike mes palëve dhe pavarësimin e prokurorisë.
 
“Ata nuk dëshirojnë të kyçen menjëherë dhe të çojnë monitorues siç kërkoi kryeprokurori, Zvërlevski, dhe në këtë mënyrë të legjitimohet, gjoja, procedura, se ka qenë e mbikëqyrur ndërkombëtarisht. Pritjet e tyre janë që dy palët të tregojnë gatishmëri se mund të hyjnë në proces të dialogut dhe të arritjes së një marrëveshje, dhe pastaj ata të ofrojnë ndihmën e tyre edhe në kapacitetin politik si ndërmjetësues dhe pastaj paralelisht të hapet procesi gjyqësor dhe atje të përcjell një ekip ekspertësh edhe juridik edhe të forenzikës dhe të lëmisë përkatëse, e cila duhet të bëjë ekspertizat e nevojshme dhe në këtë mënyrë procesi të përfundojë”- tha Zyberi.
 
Që BE nuk do të përfshihet në procesin pa u plotësuar kërkesat e Brukselit, këtë e konfirmoi edhe zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijanciç.
 
“E dini që thashë se e pranuam letrën. E bëmë shumë të qartë se cilat janë pritjet tona dhe rreth kësaj çështje nuk kam asnjë informatë të re. Por, sapo të kem diçka më shumë, do të jem e lumtur ta ndaj me ju”- theksoi zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijanciç.
 
Po dje, Prokuroria Publike njoftoi se ka filluar procedimin e padive penale të LSDM-së për dyshimet për përgjime. Materiali u është ndarë 17 prokurorëve publikë, të cilët kanë ndërmarrë veprime të caktuara.
 
Prokuroria po procedon edhe kallëzimin e MPB-së për rastin “Puç”, për spiunim dhe dhunë mbi përfaqësuesit më të lartë të organeve shtetërore.    
 
SHPËTIM NUREDINI