Maqedoni
Strugë, personat me nevoja të veçanta, të diskriminuar nga institucionet dhe bizneset
07.01.2024 16:15
Personat me nevoja të veçanta në vendin tonë janë pothuajse të padukshëm...

Personat me nevoja të veçanta në vendin tonë janë pothuajse të padukshëm në shoqëri, për shkak të mungesës së kushteve elementare për jetesë dhe mos respektimit të të drejtave të tyre. Në qytetin e Strugës këta persona diskriminohen në shumë mënyra.
Ka mungesë të ashensoreve në pothuajse tek të gjithë institucionet, por edhe tek bizneset private, duke e bërë të pamundur lëvizjen e personave me nevoja të veçanta tek këto ndërtesa. Kjo ka ardhur si pasojë e mos zbatimit të ligjit që parashikon rregullimin e të drejtave të tyre si dhe neglizhenca e autoriteveve. Nga organizata “Mobilnost” në Strugë thonë se e kanë të pamundur të kryejnë nevojat elementare, sepse gjithmonë duhet të thërrasin dikë për të mbaruar punë.
“Barrierat arkitektonike tek institucionet në komunën e Strugës janë të shumta, pothuajse institucionet aspak nuk kanë marrë hapa për ti eliminuar duke e përmendur këtu fondin e shëndetësisë, fondin e penzionit po edhe komunën e Strugës, por edhe qendrën për punë sociale. Barrierat arkitektonike janë se asnjë nga këto institucionet nuk kanë gjetur mirëkuptim për të vendosur nga një lift ku do të mundet personi me nevojë të veçantë, të mund ti kryen nevojat elementare qytetare, ata e dinë se ka mungesë por nuk e vrasin mendjen të gjejnë mirëkuptim të thonë se çfarë po bëjmë”, u shpreh kryetari i organizatës Mobilnost - Strugë, Sulejman Destani.
Një tjetër barrierë janë edhe parkingjet dhe lëvizja në trotuare, simos gjatë sezoneve turistike. Para disa vitesh u siguruan disa hapësira për automjetet e personave me nevoja të veçanta, megjithatë këto parkingje zakonisht janë të zëna nga qytetarë të pandërgjegjshëm që janë të aftë fizikisht.
“Edhe pse janë numër shumë të vogël, edhe ata që janë uzurpohen nga qytetarë të jovetëdijshëm që nuk e dinë se çfarë dëmi po na bëjnë ne që kemi nevojë për ato parkingje për të cilët janë ndërtuar. Institucionet nuk po e bëjnë punën e tyre, Kemi hasur në qytet, shkon ndalon makina tjera për të bërë kontroll rutine, edhe pse e sheh që parkingjet janë të zëna nuk marrin asnjë masë pë ti larguar makinat dhe ne aq sa i kemi ato parkingje, pothuajse 80% nuk mund ti shfrytëzojmë”, theksoi Destani.
Probleme hasen edhe nëpër banka, ku në vend që të mundësohet lëvizja e personave me nevoja të veçanta, me dyert e shtuara për siguri është e pamundur që këto persona të hyjnë në bankë dhe të kryejnë nevojat e tyre.
Ndërsa barriera ka edhe tek qendra tregtare Bezisten, ku nuk ndodhet asnjë rampë për të mundësuar aksesin e personave me nevoja të veçanta si dhe në pjesët atraktive të qytetit, ku edhe ata rampa që janë, nuk janë të përshtatshme. Nga organizata Mobilnost kërkojnë ndërgjegjësim që tju jepen të gjitha të drejtat dhe kushtet për jetesë.
ILMIJE ZHAKU
