Botë

Tiranë, deputetët e kalojnë natën në qeli

27.03.2015 16:41

Dy deputetët, Tom Doshi dhe Mark Frroku, e kanë kaluar natën e mbrëmshme në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës...

Dy deputetët, Tom Doshi dhe Mark Frroku, e kanë kaluar natën e mbrëmshme në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës, në pritje që të dalin para gjykatës dhe të vlerësohen me masën e sigurisë.
 
Të akuzuar për kallëzim të rremë, duke pretenduar se kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka porositur vrasjen e tyre, deputetët shpresojnë në lirimin e tyre, pasi pretendojnë pafajësi.
 
Dy avokatët e Mark Frrokut, Saimir Visha dhe Mark Frroku, kërkuan lirimin e menjëhershëm të tyre, pasi shprehen se urdhër-ndalimi është i paligjshëm.
 
Ndërsa avokati i Tom Doshit, Vladimir Meci, ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për lirimin e klientit të tij, duke e konsideruar të paligjshëm arrestimin e tij.
 
Ai tha se prokurori i përgjithshëm ka tejkaluar kompetencat, duke urdhëruar ndalimin e deputetit.
 
Dy deputetët u arrestuan dje, menjëherë pas heqjes së mandatit të tyre nga parlamenti. Urdhër-arresti është firmosur nga kryeprokurori, Adriatik Llalla, ndërsa ata kanë qëndruar në qeli të ndara, larg njëri-tjetrit, mbrëmjen e djeshme.
 
LULJETA NDOKA