Maqedoni

Zhvillimet në kontrollin e trafikut ajror, Gjykata Penale: prokuroria s’ka dorëzuar prova

07.01.2024 18:05

Prokuroria publike nuk ka dorëzuar dëshmi të mjaftueshme që të dyshuarve...

Prokuroria publike nuk ka dorëzuar dëshmi të mjaftueshme që të dyshuarve për sulmin në M-NAV t’u caktohet masa e paraburgimit. Kështu e kanë sqaruar Gjykata Penale vendimin e tyre që të dyshuarve t’u caktohet masë kujdesi e jo paraburgim. Sipas sqarimit të Gjykatës Penale nuk ka elemente të mjaftueshme për kualifikimin e veprës, ashtu siç e ka kualifikuar prokuroria.
 
“Nga Prokuroria Themelore Publike Shkup nuk është paraqitur asnjë provë – dokumentacion mjekësor për lëndimet e pretenduara të shkaktuara, nuk ka të dhëna për pranimin e kallëzimit penal nga i dëmtuari. Ai nuk është dëgjuar në Prokurorinë Publike të Shkupit, as nuk janë dorëzuar prova nëse vërtet ka ndodhur lëndim i rëndë dhe për çfarë lëndimi bëhet fjalë. Për më tepër, mënyra se si veprimet e ndërmarra kanë shkaktuar ose mund të kenë shkaktuar shkatërrimin ose dëmtimin e pajisjeve, objekteve ose një avioni, i cili nuk është në trafik dhe ndodhet në një aeroport për trafik ajror ndërkombëtar, nuk është specifikuar”, thonë nga Gjykata Penale.
 
Zhvillimet në kontrollin e trafikut ajror, prokuroria: Kemi paraqitur dëshmi të mjaftueshme
 
Prokuroria Publike ndërkohë ka reaguar në lidhje me arsyetimet e Gjykatës Penale të cilat i konsideron si të pabaza. 
 
“Prokuroria i ka dhe i ka paraqitur të gjitha dëshmitë se ka rrezik real se katër personat e dyshuar që janë privuar nga liria të jenë të lirë, të ndikojnë ndaj dëshmitarëve (duke përfshirë edhe të dëmtuarit, por edhe te të dyshuarit që akoma janë të pakapshëm), si dhe të përsërisin veprën. Në lidhje me veprën penale-Rrezikimi i sigurisë së transportit ajror nga neni 303 nga Kodi Penal, në paragrafin 2, ato janë plotësuar vetëm me mundësinë që të rrezikohet siguria e aeroportit për trafikun ajror ndërkombëtar me aktin e dhunës  dhe nuk është e nevojshme të ndodhin pasoja katastrofale në kuptimin e lëndimeve të rënda, vdekjes ose shkatërrimit”, deklarojnë nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup.
 
Si reagim ndaj zhvillimeve në M-NAV, Qeveria miratoi vendim që në seancën e ardhshme qeveritare, të propozojë shkarkimin e gjithë bordit drejtues dhe të propozojë zgjedhjen e një bordi të ri drejtues në këtë institucion. 
 
ERSAN PAJAZITI