Blinken: Palestinezët nuk duhet të dëbohen nga Gaza
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken....

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, thotë se palestinezëve nuk duhet t’u bëhet presion që të largohen nga Gaza dhe ata duhet të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre pasi të lejojnë kushtet.
Blinken njëherit dënoi deklaratat e disa ministrave izraelitë, të cilët kërkuan zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza.
Blinken i cili po qëndron në Lindjen e Mesme tha se SHBA-të janë të interesuara të pnegojnë zgjerimin e konfliktit.
“Që nga dita e parë, ndër prioritetet e tjera, ne kemi qenë intensivisht të fokusuar në parandalimin e përhapjes së konfliktit. Ky është fokusi kryesor i vizitës sime të katërt në rajon që nga 7 tetori. Ishte në qendër të bisedave dje me presidentin Erdogan dhe kryeministrin Mitsotakis, me mbretin Abdullah në Jordani dhe në takimet që pata me emirin e Katarit dhe kryeministrin Al Thani”. – tha Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony Blinken.
Komentet e tij pasojnë raportet se dhjetëra njerëz u vranë në një kamp refugjatësh në Gazën veriore. Pamjet nga Jabalia tregojnë trupa të shtrirë në rrënojat e një ndërtese të shkatërruar – shumë prej tyre gra dhe fëmijë.
Ushtria izraelite: Në shënjestër caqet e Hamasit dhe Hezbullahut
Ushtria izraelite thotë se gjatë sulmeve ajrore në Khan Junis, goditën 30 objekte të rëndësishme të Hamasit, siç janë strehimore nëntokësore, depo armësh dhe infrastruktura tjetër. Poashtu ushtria izraelite ka njoftuar për kryerjen e një sërë sulmesh ajrore ndaj Hezbollahut në Liban.
“Sulmuam asetet e rëndësishme ushtarake të Hezbollahut në kompleks, i cili përdorej nga njësia e raketave tokë-ajër”. Eliminuam shtatë terroristë, disa prej të cilëve sulmuan në territorin tonë. Disa nuk patën kohë për të lansuar armët dhe u eliminuan". – deklaroi zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
Agjencia e Inteligjencës Ushtarakte amerikane ka thënë se ushtria izraelite do ta këtë të vështirë të përballet në dy fronte ndaj Hamasit në Gaza dhe Hebullahut në Liban.
Hamas: SHBA të rishqyrtojë mbështetjen ndaj Izraelit
Ndërkohë Hamasi i ka bërë thirrje administratës amerikane të rishqyrtojë mbështetjen për Izraelin lidhur me luftën në Gaza.
“Në kohën kur Sekretari Blinken po viziton rajonin, ne i bëjmë thirrje administratës amerikane që të kryejë një rishqyrtim gjithëpërfshirës dhe realist të politikave të SHBA-së që shtrihen në tre muajt e kaluar”. – u shpreh zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan.
Krahas luftës në Gaza qeveria izraelite aktualisht po përballet edhe me protesta. Dhjetra njerëz protestuan jashtë Knesset-it në Jerusalem, duke i bërë thirrje qeverisë të japë dorëheqje dhe të shpallë zgjedhje të reja.
Protestuesit thonë është shuar çdo shpresë se qeveria e Netanyahut do të jetë në gjendje të përballojë detyrën e emergjencës, si dhe reputacioni ndërkombëtar i Izraelit është dëmtuar rëndë. (Fitore Demolli, TVM2)
