Kumanovë, rriten rastet me sëmundje në organet respiratore

08.01.2024 15:26

Në kohën kur gjithnjë e më tepër....

Në kohën kur gjithnjë e më tepër po rriten rastet e të prekurve nga viruset dhe infeksionet e ndryshme, mjekët apelojnë deri tek qytetarët që ti shmangin kontaktet dhe vizitat gjatë festave aktuale. 

Të ulen kontaktet, kurse personat që ndjejnë simptoma të caktuara, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, apelojnë punëtorët shëndetësor, kjo pasi që është regjistruar rritje e pacientëve me sëmundje të viruseve respiratore. 

Apelet sidomos u dedikohen më të vegjëlve dhe atyre më të moshuarve, si dy nga kategoritë më të prekura të qytetarëve. Tubimet dhe vizitat e shumta, bëjnë që në këtë periudhë të mbushen ambulancat me pacientë.

Nga “Ndihma e shpejtë” në Kumanovë e pohojnë këtë, duke njoftuar se janë rritur thirrjet ditore për ndihmë.

Kryesisht paraqiten prindër për viruset respiratore tek fëmijët e tyre, por edhe raste me sëmundje të ndryshme kronike.

“Festat po e bëjnë të veten. Kontaktet po rriten. Por nëse janë me infeksione më mirë të qëndrojnë në shtëpi, sepse këto viruse po përhapen me shpejtësi. Më të përhapura këto viruse janë tek fëmijët dhe foshnjet, por edhe tek personat më të moshuar. Këto viruse mund të jenë edhe fatale, prandaj më mirë është që personat e prekur të qëndrojnë në shtëpi” -  thotë Dr. Valentina Todorovska- Trajkovska nga Ndihma e shpejtë në Kumanovë.

Përshkak të seriozitetit të viruseve, mjekët rekomandojnë që qytetarët të konsumojnë sa më tepër lëngje, ushqime të pasura me vitamine, por dhe të shmnagin ushqimet e yndyrshme, ndërsa gjithashtu të zvogëlojnë përdorimin e pijeve alkoolike. 

Gjithashtu rekomandohet edhe praktikimi i masave higjienike si dhe ajrosja më e shpesht e dhomave, dhe bartja e maskave.

Mjekët me apel edhe tek qytetarët në komunikacion, si tek ngasësit e makinave, poashtu edhe tek këmbësorët, të jenë të kujdesshëm gjatë konsumimit të alkoolit gjatë festave, sepse është një ndër shkaktarët e aksidenteve. (Fatlum Aqifi, TVM2)