Tajani, BE duhet të formojë ushtrinë
Bashkimi Evropian duhet të formojë ushtrinë....

Bashkimi Evropian duhet të formojë ushtrinë e saj që mund të luajë një rol paqeruajtës dhe të parandalojë konflikte, vlerëson ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
Në një intervistë për gazetën italiane, “La Stampa”, Tajani tha se bashkëpunimi më i ngushtë evropian në fushën e mbrojtjes është prioritet i partisë Forza Italia, që drejton ai.
“Nëse duam të jemi paqeruajtës në botë na duhet një ushtri evropiane. Ky është një parakusht thelbësor që të jemi në gjendje të kemi një politikë efektive të jashtme evropiane”, tha minsitri italian.
“Në një botë me lojtarë të fuqishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Rusia – me kriza nga Lindja e Mesme e deri në Indo-Paqësor – qytetarët italianë, francezë apo sllovenë mund të mborhen vetëm nga diçka që veçse ekziston, domethënë Bashkimi Evropian”, shtoi Tajani.
Çështja e bashkëpunimit evropian në fushën e mbrojtjes është ngritur në agjendën politike që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës pothuajse dy vjet më parë.
