Botë

Bashar al Assad: jam i hapur për dialog me ShBA-në

27.03.2015 16:48

Presidenti sirian, Bashar al-Asad, deklaroi gjatë një interviste në televizionin amerikan...

Presidenti sirian, Bashar al-Asad, deklaroi gjatë një interviste në televizionin amerikan, CBS, se është i hapur për dialog me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Assad, shton se një dialog i tillë duhet të bazohet në një respekt të ndërsjellë.
 
”Në Siri ne themi se çdo dialog në parim është një gjë pozitive”- pohoi presidenti sirian, i pyetur për mundësinë e një dialogu me Uashingtonin.
 
Ndërsa pyetjes nëse ka pasur një dialog midis dy vendeve, ai i është përgjigjur se nuk ka pasur asnjëherë një dialog të drejtpërdrejtë.
 
Zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit kanë deklaruar së fundmi se Asad nuk ka pranuar kurrë negociatat për t’i dhënë fund konfliktit në Siri, një çështje që po bën gati pesë vjet, por megjithatë anëtarët aktualë të qeverisë siriane mund të bëhen pjesë e këtij procesi negociatash.
 
Më 15 mars, gjatë një interviste të dhënë për CBS-në, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, mesa duket ka deklaruar se Uashingtoni, nëse i kërkohet një gjë e tillë, është i hapur për dialog me presidentin e Sirisë, për t’i dhënë fund konfliktit.
 
Kjo deklaratë ka zemëruar grupimet opozitare siriane dhe disa nga mbështetësit e këtyre të fundit në Perëndim.
 
Por, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, ka siguruar se kjo deklaratë e John Kerryt i është referuar vetëm zyrtarëve të qeverisë së presidentit Assad dhe jo atij në veçanti.