Botë
Kosovë, kuvendi voton kundër shkarkimit të Mustafës
27.03.2015 17:36
Lidhur me interpelancën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar kundër rekomandimeve të Vetëvendosjes...

Në debatin mbi interpelancën ndaj kryeministrit, Isa Mustafa, e iniciuar nga Vetëvendosje, opozita kundërshtoi themelimin e Gjykatës Speciale.
Sipas tyre, kjo gjykatë po krijohet për të sjellë drejtësi selektive, pasi që nuk gjykon serbët që kanë bërë krime në Kosovë, por UÇK-në, duke tentuar të njollos luftën e popullit të Kosovës.
“Lufta e drejtë e UÇK-së nuk ka njolla. Ajo është e pastër, këtë e kanë vërtetuar gjykatat, si jashtë po ashtu edhe brenda. Nëse kolegët nga LDK-ja mendojnë se duke votuar gjykatën mund ta largojnë Thaçin nga politika, e kanë gabim”- deklaroi deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa, tha se themelimi i Gjykatës Speciale buron nga Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare, e miratuar në prill të vitit të kaluar.
Ai tha se qeveria beson në proces të pavarur, në gjykatë dhe se gjykimet eventuale për ndonjë individ nuk do të thonë se do të gjykohet lufta çlirimtare e UÇK-së.
“Ne jemi duke zbatuar obligimet ligjore dhe kushtetuese që burojnë nga deputetët e kuvendit, si përfaqësues të popullit. Ne besojmë në pastërtinë e UÇK-së, ndërsa sjellja e individëve që mund të kenë bërë krime gjatë luftës nuk do të thotë se UÇK-ja ka bërë krime. Kjo vetëm sa do t’i ndihmonte besimit në drejtësi”- tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, ka thënë se mosthemelimi i Gjykatës Speciale do të ketë pasoja në arenën ndërkombëtare për Kosovën.
BESA JASHARI
