Maqedoni

Ahmeti: BDI-ja koalicion vetëm me partitë proevropiane

09.01.2024 14:04

BDI-ja mund të bëjë koalicion vetëm me partitë politike me orientim properëndimorë...

BDI-ja mund të bëjë koalicion vetëm me partitë politike me orientim properëndimorë që nënkupton edhe ndryshimin e Kushtetutës. Kështu deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në intervistën për Top Story në Top Channel, prej ku ftoi partitë politike shqiptare që të mos bëjnë koalicion me partitë që nuk i mbështesin ndryshimet kushtetuese. 
 
“Për ne nuk ka partneritet me parti politike të cilat e kontestojnë Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe pavarësinë e Kosovës.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ahmeti fton partitë shqiptare: Bëhuni pjesë e frontit proevropian
 
I pyetur për mundësinë e daljes me lista të përbashkëta në zgjedhjet parlamentare edhe me parti maqedonase me orientim properëndimorë, Ahmeti doli me përgjigje. 
 
“Këtu akoma gjërat janë në zhvillim e sipër. Në përpjekjen e parë, tentativën e parë e kemi bërë për frontin për Evropë. Këtij fronti le t’i bashkëngjiten partitë politike shqiptare, ata të cilët kanë vullnet të mirë, në radhë të parë të japim një porosi për shqiptarët.”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ahmeti: Rama nuk ka ndërhyrë, Kurti ka mbajtur anë
 
Ahmeti u pyet edhe për atë se si e sheh ndikimin e kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës në zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, konkretisht te partitë shqiptare, me ç’rast theksoi se kryeministri Rama nuk ka ndërhyrë asnjëherë në punët e brendshme të organizimit politik në Maqedoninë e Veriut, derisa kryeministri i Kosovës, Kurti, ka pasur raste kur ka mbajtur anë. 
 
“Edi Rama asnjëherë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të organizmit politik në Maqedoni. Përherë ka bërë përpjekje për t’i afruar partitë politike në Maqedoni dhe sigurisht unë jam falënderues, mirënjohës për këtë qasje. Ka ndodhur për zgjedhjet presidenciale, zoti Kurti mbajti anë, doli në përkrahje të një pjese të partive politike në Maqedoni edhe pse kishte një marrëveshje për zgjedhjet presidenciale në mbështetje të një presidenti konsensual që ishte zoti Pendarovski para 5 vitesh. Shum nga komuniteti ndërkombëtarë kanë shprehur interesim për çfarë arsye zoti Kurti ka nevojë të bëjë parti politike në Maqedoni, kam thënë kjo është demokraci dhe më kanë vendosur në një situatë goxha të vështirë, po mirë atëherë zoti Kurti ankohet kur Vuçiqi bën aktivitete politike në Kosovë, si na e shpjegoni ju ne këtë punë? Do të thotë më kanë lënë gati pa tekst me shumë pyetje.”, - u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ahmeti tha se sa i përket Shqipërisë dhe Kosovës, ka pasur kontakte me të gjitha partitë atje, por në radhë të parë ka mbajtur kontakte me institucionet shtetërore.
 
FLUTURA LATIFI