Botë

Blinken në Tel Aviv: E ardhmja e rajonit integrimi, jo konflikti

09.01.2024 15:39

Vazhdojnë sulmet e forcave izraelite në pjesën qendrore dhe jugore të Gazës...

Vazhdojnë sulmet e forcave izraelite në pjesën qendrore dhe jugore të Gazës, në të cilat, sipas Forcave të Mbrojtjes izraelite, u goditën 30 objektiva të Hamasit. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se 126 persona janë vrarë në Gaza gjatë 24 orëve të fundit. Po ashtu, një komandant i lartë i Hezbollahut është vrarë në një sulm të ri në Libanin jugor, ndërkohë Hezbollahu ka kërcënuar me hakmarrje. Uashingtoni me qëndrim të prerë, se nuk është në interesin e askujt konflikti dhe përshkallëzimi i tij. Sekretari i shtetit, Blinken, si pjesë e turneut në Lindjen e Mesme, ka qëndruar edhe në Tel Aviv. Derisa Blinken po takohej me udhëheqësit izraelit, në Tel Aviv pati edhe protesta. 
 
“Ne e vlerësojmë liderizmin e presidentit në këto kohëra tepër sfiduese. Për Izraelin, për vendet e rajonit dhe veçanërisht për njerëzit që vazhdojnë të vuajnë. Bregu Perëndimor dhe Gaza duhet të bashkohen nën qeverisjen e udhëhequr nga palestinezët. E ardhmja e rajonit duhet të jetë integrimi, jo ndarja dhe konflikti. Për të realizuar këtë, ne duhet të shohim krijimin e një shteti të pavarur palestinez.”, - deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken.
 
OBSh: Nuk kemi qasje në pjesën veriore të Gazës
 
OBSh-ja ka alarmuar se nuk ka qasje në pjesën veriore të Gazës për dy javë të tëra. 
 
“Deri në fund të vitit 2023, 1,9 milionë njerëz ose 80% nga popullsia banuese në Gaza, vlerësohet se janë të zhvendosur brenda vendit, duke i kyçur edhe ata të cilët kanë qenë të zhvendosur disa herë, sepse familjet janë të detyruar të ndërrojnë vendin vazhdimisht në kërkim të sigurisë.”, - thanë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
 
Izraeli vazhdon sulmet në Gaza, Hezbollahu kryen sulme në Izrael
 
Ushtria izraelite pretendon se është zbuluar fabrikë që shfrytëzonte Hamasi, nën korridorin humanitar, të cilën izraelitët e shfrytëzojnë për ndihmesë të civilëve në Gaza.
 
“Ende ka terroristë operativë dhe armë në veri, po ato nuk funksionojnë në kuadër të organizuar ushtarak, prandaj ne po punojnë në mënyrë tjetër në atë rajon. Ky është ende një aktivitet operacional dhe ka beteja të vështira edhe në pjesën qendrore edhe në atë jugore.”, - theksoi zëdhënës i Ushtrisë Izraelite, Daniel Hagari.
 
Ndërkohë Hezbollahu ka kryer sulme me fluturake pa pilot ndaj një baze ushtarake në Izrael duke bërë të ditur se sulmi është si kundërpërgjigje ndaj vrasjeve të fundit në Liban, ku kanë humbur jetën tre luftëtarë të Hezbollahut. 
 
BELINDA KOKA ADEMI