Maqedoni
Qeveria e rekomandon Këshillin Mbikëqyrës të M-NAV të shkarkojë anëtarët e Bordit Drejtues dhe dy drejtorë
09.01.2024 16:03
Qeveria në mbledhjen e saj ka vendosur që t'i rekomandojë Këshillit Mbikëqyrës të M-NAV....

Qeveria në mbledhjen e saj ka vendosur që t'i rekomandojë Këshillit Mbikëqyrës të M-NAV që të shkarkojë nga detyra anëtarët e Bordit Drejtues dhe drejtorët, Fahrudin Hamidi dhe Ljube Stamenkovski. Po ashtu Qeveria propozon për drejtorë të rinj të M-NAV Ilir Memedin dhe Milan Koraçin, në një pako me rekomandim për shkarkimin e Fahrudin Hamidit dhe Ljube Stamenkovskit.
Në seancën e sotme, në të cilën si pikë e rendit të ditës u konstatua gjendja në M-NAV, nuk u propozua shkarkimi i anëtarit të Bordit Drejtues dhe drejtorit të M-NAV-së, Hasim Deari. Brenda kohe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, ka realizuar takim me Aleksandar Tasevskin - kyetarin e Sindikatës Profesionale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror dhe Goran Gavrovski - anëtar i bordit të sindikatës. Në takim, presidenti i vendit, Pendarovski, i përkrahu përpjekjet e sindikatës për ruajtjen e nivelit profesional në funksionimin e M-NAV ShA - Shkup, e cila është pjesë e infrastrukturës kritike në vend, informojnë nga zyra e presidentit.
"Dënojmë sjelljen e dhunshme në M-NAV-it nga ana e punonjësve të atij institucioni dhe personave të tjerë, të cilët pa autorizim kanë hyrë në ambientet e tyre dhe kërkojmë që ngjarja të zbardhet sa më shpejt, duke pasur parasysh se është një çështje që mund të rrezikojë sigurinë në trafikun ajror ndërkombëtar. Interesi i askujt personal apo politik nuk mund të jetë mbi rendin juridik dhe funksionimin normal të institucioneve.", - thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit.
Përkrahjen që e morën nga presidenti e konfirmon edhe vet kryetari i Sindikatës Profesionale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski.
“Qëndrimi i Sindikatës mbetet i pandryshuar dhe nuk shohim arsye pse ta ndryshojmë këtë vendim dhe gjithçka varet nga vendimi i sotëm i Qeverisë dhe kemi besim se Qeveria e kupton problematikën dhe do të kenë interes për qetësimin e gjakrave këtu tek ne. Në takim me presidentin biseduam rreth nismës së problemeve në kompaninë tonë dhe morëm përkrahje nga presidenti dhe vet Pendarovski i gjykoi sjelljet vandale, e sidomos ishte i brengosur për shërbimet të cilat i japim për fluturimet e NATO-s.", - deklaroi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski.
Pikërisht në momentet kur Qeveria diskuton për zhvillimet në M-NAV, Drejtoria e Policisë Financiare kanë njoftuar se po kryejnë kontrolle në M-NAV. Sipas DPF-së, po veprohet në bazë të kallëzimit që është bërë.
“Sipas kompetencave tona do të bëjmë kontrolle për të parë nëse ka dyshime për vepra penale. Do të bëhen kontrolle në pjesën financiare, në procedura e kështu me radhë. Do të veprojmë sipas kallëzimit që është paraqitur dhe sipas kompetencave të Drejtorisë së Policisë Financiare, do të kryejmë kontrolle dhe inspektime në funksionimin e M-NAV-it.”, thonë nga Drejtoria e Policisë Financiare.
Nga ana tjetër, Këshilli Gjyqësor vlerëson se gjykatat janë të pavarura në marrjen e vendimet e tyre, ndërsa të njëjtat me shumë vëmendje janë duke i ndjekur zhvillimet atje. Ky reagim i Këshillit vjen pas zhvillimeve në M-NAV-it dhe vendimit të Gjykatës Penale që të dyshuarve për këtë rast, t’u caktohet masa e kujdesit dhe jo paraburgim.
“Në lidhje me reagimet e fundit në opinion për ndodhitë në M-NAV, Këshilli Gjyqësor e njofton opinionin se gjykatat janë të pavarura në veprimin dhe vendimin e tyre, ndërsa Këshilli Gjyqësor në kuadër të kompetencave të tyre ligjore e ndjek punën e gjykatave.”, thuhet në kumtesën e Këshillit Gjyqësor.
Për sulmin në M-NAV, Prokuroria Publike i propozoi Gjykatës Penale që t’u caktohet masa e paraburgimit tetë të dyshuarve, por me arsyetimin se nuk ka dëshmi të mjaftueshme gjykata u caktoi vetëm masën e sigurisë.
Shqetësim për ndodhitë e fundit në M-NAV kanë shprehur edhe nga zyra e BE-së në Shkup, ndërsa Gjykata Penale do të vendos të mërkurën për çështjen e sulmit në M-NAV.
FITIM KRYEZIU
